Shqipëria po vijon një trend përmirësimi sa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, që ka nisur që në vitin 2012, gjë që nuk ka ndodhur me vendet e tjera të rajonit, të cilat pa përjashtim kanë pasur trend në përkeqësim përgjatë viteve të fundit.
Në krahasim me vitin 2019, kur Shqipëria renditej në vendin e 106 me 35 pikë, këtë vit renditet e 104-a me 36 pikë, ndërsa krahasuar me vitin 2012 vendi vlerësohet me 3 pikë më shumë.
Ngritja e Shqipërisë dy vende më lart në renditjen e shteteve sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, këtë vit, nuk është vetëm një vlerësim më të mirë se sa vitin e kaluar, por përbën edhe një zhvillim shumë të rëndësishëm për vendin duke marrë parasysh që shumë vende të tjera të rajonit dhe botës ose kanë mbetur në të njëjtin pozicion në renditje, ose kanë pësuar përkeqësimin në tabelën e indeksit sidomos për shkak të pandemisë.
Në krahasim me vendet e rajonit Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut dhe Bosjne-Hercegovinën, të cilat renditen në vendin e 111.
Serbia dhe Mali i zi renditen mbi Shqipërinë, por teksa për Malin e Zi vlerësimi prej 45 pikësh nuk ka ndryshuar, Serbia ka pasur përmirësim me 1 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, po aq sa Shqipëria.
Përveç kësaj Shqipëria vazhdon të vlerësohet, në raportet e financuara nga BE si vendi me përqindjen më të lartë të punësimit në rajon, me 67% në vitin 2019.
Ajo që i shton vlerën këtij përmirësimi të dukshëm të vendit në renditjen e Transparency International është fakti se Shqipëria në dy vitet e fundit u përball me dy fatkeqësi të mëdha natyrore, të cilat sollën dëme të mëdha në njerëz dhe ndikim të dukshëm në ekonominë e vendit.
Reagimi i shpejtë i qeverisë, mbledhja e një shifre rekord donacionesh pas tërmetit dhe vënia në dispozicion për qytetarët dhe bizneset e dy paketave për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së pandemisë kanë ndikuar qartazi në rritjen e besimit.
Shpërndarja në mënyrë transparente e ndihmës ekonomike gjatë pandemisë dhe po ashtu shpërndarja e bonuseve të qerasë dhe dëmshpërblimeve pas tërmetit, si dhe vënia në përdorim e donacioneve të mbledhura pas tërmetit, duke forcuar njëkohësisht mekanizmat e kontrollit, duke siguruar akses në informacionin lidhur me si po përdoren këto para, duket se kanë ndikuar në këtë vlerësim pozitiv për vendin.
Marrja e masave të duhura dhe në kohë për përballimin e dy krizave të mëdha dhe të njëpasnjëshme, vërteteton se Shqipëria mund të vlerësohet tashmë si një nga vendet që arrijnë të zhvillojnë ekonominë e vendit jo vetëm në periudha normale, por mund të bëhet shembull për vendet e rajonit edhe sa i përket menaxhimit të krizave.