Në një botë paralele: Përmbyten sportelet e bankave. Qytetarët dynden për të blerë sot shtëpi me kredi
Lista e premtimeve të shpallura sot nga PD është një perlë e humorit, e pakrahasueshme me “Portokalli” apo çdo program tjetër.
Pas dy premtimeve më të bujshme, rritje ekonomike 30% (ska bërë vaki në asnjë vend të botës) dhe papunësi poshtë zeros (ja fusim SHBA-ve dhe Gjermanisë), vjen një tjetër premtim i artikuluar sot nga Basha në prezantimin e tij.
Për të gjithë familjet e reja që kanë marrë apo do marrin kredi për shtëpi, kredinë ta paguan shteti…
“Programi i Partisë Demokratike ka në qendër të tij FAMILJEN dhe Ekonominë Familjare. Për herë të parë një parti politike i jep prioritet masave që kanë vetëm një qëllim; rritjen e mirëqënies së familjes”, thotë PD.
“Investimi kryesor i një familje të re, është strehimi i cili është kthyer në pamundësi për shumë shqiptare që po largohen. Prandaj do te jemi në krah të familjeve të reja; do të financojmë 100% interesat e kredive që të rinjtë do të marrin për të blerë shtëpinë e tyre. Do të jenë së paku 20 mijë familje të reja që do të përfitojnë nga kjo masë*.
E përkthejmë me para. Një shtëpi kushton sot mesatarisht 80 mijë euro. Për një kredi 80 mijë euro, me një përqindje sa e tregut sot, 3.5-4.5%, për 20-25 vjet, deri në fund ke shlyer rreth 60 mijë euro më shumë nga ato që ke marrë.
Në planin e PD, këto para mbulohen nga shteti. Pra, 60 mijë euro, për të paktën 20 mijë familje, ka një efekt financiar neto në buxhet prej 1.2 miliardë eurosh.
Llogaritë janë bërë me makinë llogaritëse, për të shmangur gabimet e mundshme me shumëzime.
Por, këtu thuhet që do të jenë minimum kaq familje. Përse jo 40 mijë apo 100 mijë. Fundja, Shqipëria pothuajse 1 milionë persona të grupmoshës 20-40 vjeç që presin të bëhen apo janë bërë familje të reja me fëmijë.
Shkurt, me një llogari të tillë, i gjithë buxheti i një viti shkon për kreditë. Nuk paguhen rroga, pensione, investime, asgjë tjetër.
Ose merret borxh. E borxhi kapërcen mbi 100%. Faliment!
Ose e fundit, që është edhe e vërteta. Ky është vetëm një premtim elektoral, i parealizueshëm, e që askush nuk e mendon seriozisht se mund të bëhet.