Pronarët e rinj të aeroportit të Tiranës, vendosën të ulin me 2.5 euro tarifën e pasagjerëve që paguajnë kompanitë e fluturimit, çka pritet të ndikojë në reduktimin e çmimit të biletës dhe afrimin në Shqipëri të linjave ajrore loë cost (çmim të lirë), të cilat ofrojnë udhëtime me çmime të ulta. Drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit, Constantin Alvensleben, thotë në një intervistë për televizionin Klan se tarifa tashmë është 10 Euro dhe kjo do të sjellë kosto të lira për kompanitë, një vendim pozitiv që do të ndikojë edhe në financat e tyre të prekura nga pandemia. “Vendim përkthehet në një kosto më të lirë për kompanitë ajrore që përcaktojnë çmimin e biletës. Pasagjerët do të kenë lehtësi për blerjen e saj dhe po ashtu numri i tyre do të jetë më i madh. Ne kemi në plan të tërheqim sa më shumë linja ku planifikojmë të futim dhe kompaninë low cost Ryan Air.”
Pavarësisht reduktimit të fitimeve në 2020-n me 60%, grupi i ri ka shpalosur një plan ambicioz investimesh prej 100 milion eurosh, i cili do të jetë pjesë edhe i ndryshimit të kontratës koncesionare me qeverinë shqiptare. Pavarësisht kësaj, Alvensleben nuk siguron nëse do të ketë ulje të tarifave të tjera aeroportuale. “Nuk mund të konfirmoj nëse Aeroporti i Tiranës do të reduktojë tarifa të tjera, pasi ato janë pjesë e të ardhurave tona, të cilat janë të rëndësishme për investimet. Ne mendojmë të investojmë në të ardhmen 100 milion euro të cilat do të shkojnë për zgjatimin e pistës, rrugë lidhëse dhe zgjerimin e ambienteve akomoduese për 6 milion pasagjerë në vit nga 3 që është kapaciteti sot.”
Drejtori i Aeroportit të Tiranës pranon se ka patur negociata dhe është arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare, rezultat e të cilave nuk mund t’i japë sot, ndërsa jep edhe arsyet e largimit të grupit kinez China Everbright. “Aeroporti ka patur një proces negocimi, përfundimet e të cilit unë nuk mund t’i them tani. Por jemi në një rrugë të mbarë! Unë besoj se grupi kinez gjeti momente të bukura gjatë kohës këtu pavarësisht pandemisë dhe faktit që Shqipëria donte të kishte çmime atraktive e mendoj se këto ishin arsyet përse ata ikën dhe u shitën te grupi Kastrati.”
Shitja e aksioneve te kompania Kastrati për 71 milion euro u zyrtarizua më 18 Dhjetor të vitit që shkoi, pas një pronësie 4-vjeçare të kompanisë kineze, e cila pati dhe beteja të shumta me qeverinë, pas debateve të çështjeve për sigurinë e aeroportit dhe negocimit për uljen e tarifave. Kontrata mes aeroportit dhe qeverisë përfundon në vitin 2027, ndërsa plani i investimeve prej 100 milionë Eurosh duke i shtuar dhe kostot e blerjes së të pronësisë, jep indicie për shtyrjen e afatit të saj.