Nga Endri Kajsiu/Ditën e sotme Kryeministri Rama ka dhënë një lajm të mirë për shqiptarët, duke deklaruar se Shqipëria ka siguruar 500 mijë vaksina anti Covid-19. Në një kohë kur asnjë shtet në Ballkan nuk ka siguruar një kontratë me ndonjërën nga kompanitë që kanë prodhuar vaksina të certifikuara (me përjashtim të Serbisë që ka marrë 5 mijë doza), Shqipëria ka siguruar gjysmë milioni doza. Ky ishte lajmi i ditës dhe me shumë gjasë edhe i këtij viti që sapo nisëm. Në një kohë kur BE është treguar josolidare dhe e ka lënë Ballkanin pa vaksina, kryeministri Rama arriti që të sigurojë vaksinën për shqiptarët (premtoi se do t’i japë edhe Kosovës një sasi të caktuar për të vaksinuar bluzat e bardha), e përpos të gjithë kritikave që mund të bëhen ndaj tij, për këtë të gjithë duhet të jemi optimistë dhe t’i japim dorën.

Por, përtej kësaj ngjarje që shënjon fillimin e fundit të pandemisë në Shqipëri, kemi edhe reagimin e Lulzim Bashës që të habit. Edhe pse të paktë janë ata që habiten nga ato që thotë Basha, lajmi i keq është që ai e nisi 2021-shin aty ku e la në 2020-ën. Ai deklaroi sot se vaksina që i duhet Shqipërisë është largimi i Ramës. Basha sot nxinte nga fakti që Rama kishte siguruar në SHBA 500 mijë vaksina dhe nuk kishte shkuar për piknik sic ai e kishte sulmuar. Xhelozia dhe urrejtja që Basha dhe LSI kanë ndaj cdo lajmi të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, i ka verbuar deri në pikën që nuk dinë të ndajnë logjikën nga politika e ditës.

Mungesa e lidershipit dhe mungesa e logjikës te cilat po t’i kishte Luli e Monika do të duatrokisnin lajmin e mirë për Shqipërinë, është në fakt argumenti që duhet të largojë ata parimisht nga politika. Largimi i një politikani nga politika bëhet nëpërmjet zgjedhjeve, por fakti që Basha mendon se Rama duhet të largohet nga qeveria në ditën që solli vaksinën, tregon se urrejtja dhe xhelozia janë alternative e Bashës e LSI-së. E për sa kohë vizioni i opozitës udhëhiqet nga këto dy vese, për sa kohë Basha e Kryemadhi turbullohen nga urrejtja e xhelozia, janë ata që duhet të largohen nga politika, sepse politika bazohet mbi projekte dhe program e jo mbi inate që nuk kanë asnjë lidhje me interesin publik. Basha nuk doli dot mbi veten as këtë herë, duke vënë inatet politike mbi Shqipërinë.