Zv.kryeministri Erion Braçe vlerësoi nisjen sot të vaksinimit antiCOVID-19 në vendin tonë.
“Vaksinë për jetën, sot Dita 1! Është e mbarë që dita 1 nisi me shërbyesit e shtetit: mjekët, infermierët e spitaleve më të rëndësishëm prej 10 muajsh, spitalet COVID! 10 muaj që ata rrezikojnë, sakrifikojnë, jetojnë e punojnë me virusin e kundër tij, kurojnë, shërojnë, shpëtojnë njerëz”, theksoi Braçe.
“Ata ia dolën të arrijnë vaksinën, të jenë më të mbrojtur e të sigurtë në punën e tyre! Ndërkohë, sot, tamam sot, dita 1 vlen edhe si homazh për cilindo nga shërbyesit e shtetit që humbën jetën në shërbim ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi; Mjekë e infermierë që humbën jetën nga koronavirusi duke shërbyer kundër tij, mësues e pedagogë që humbën jetën nga koronavirusi duke zhvilluar mësim pa u ndalur, policë që humbën jetën nga koronavirusi duke shërbyer për respektimin e ligjit e rregullit edhe ndaj koronavirusit; Ata nuk kursyen asgjë për shërbimin, detyrën ndaj njerëzve të zakonshëm në këtë vend!”, tha Braçe.
“Dita 1 është një ditë shprese për të dalë nga ky makth! Por mos harroni, ajo vaksinë nuk duhet të na kthejë pas në atë që jetuam, bëmë keq apo shkatërruam! Kohët kanë ndryshuar! Ne duhet të ndryshojmë, jetojmë ndryshe, në një ambient që është i yni, natyral, në bashkëjetesë me të e duke i rikthyer gjithçka që ja morëm dhunshëm prej grykësisë e rendjes pas parasë së madhe e pasurisë po aq!”, u shpreh Braçe.
Braçe gjithashtu u shpreh, “i neveritur pa fund nga grupi i përhershëm i negativëve, urrejtësve, edhe posaçërisht nga soji i idiotëve që urrejtjen e shtyjnë deri tek dhuruesi, të cilin e duan për ta bërë copash pse ndihmoi këtë vend, njerëzit e tij dhe e bëri tani, para zgjedhjeve!!!!!!!! Ooooooo Zoooot!”.