Në një shoqëri të ardhshme, në të cilën antagonizmi i klasave do të ketë pushuar së ekzistuari, në të cilën nuk do të ketë më klasa, qëllimi nuk do të përcaktohet nga koha minimale e prodhimit, por nga koha e shkalla e dobisë së tyre shoqërore. Kjo është koha kur do të zhduket varfëria ekstreme.
Të drejtat e autorit për këtë shprehje janë të Karl Marksit, autorit të “Kapitalit” dhe “Manifestit Komunist”, doktrinës që më pas i dha jetë komunizmit.
Ç’lidhje ka kjo me Bashën?
Komunizmi propagandoi një shoqëri të barabartë, një zhdukje të fenomenit të varfërisë nga rruzulli tokësor. Qartësisht dështoi në mënyrë spektakolare.
SHBA, e bazuar në kapitalizmin që në krye të herës pati rezultate shumë më të mira. Sot, Amerika është fuqia e parë e botës. E megjithatë, OKB pohon se në këtë vend, 18.5 milionë amerikanë janë në varfëri ekstreme, e jetojnë me më pak se 5 dollarë dita.
Në Gjermani, ekonomia më e fuqishme e Europës, “Eurostat” thotë se pavarësisht rritjes ekonomike të dekadës së fundit, pabarazia është thelluar dhe 16% të gjermanëve sot janë të varfër. Një pjesë e tyre ekstremisht. Bëhet fjalë për një “ushtri” prej 13-14 milionë gjermanësh.
Ndërsa pas 25 prillit, aty ky dështoi Marksi, SHBA dhe Gjermania, do t’ia dalë Basha. “Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme”, tha sot Basha në prezantimin e planit të tij.
E këtë do ta bëjë duke shumëfishuar rrogat, zhdukur papunësinë, shumëfishuar ndihmën ekonomike, teksa do të shkurtojë “shumicën e taksave”. Edhe këtë të fundit e tha.
Varferia, nje fenomen i dhimbshem, per fat te keq eshte e pamundur te zhduket. Nuk ia ka dale askush, asnje sistem, asnje lider. As edhe ne Norvegji apo Luksemburg, dy vendet me te ardhurat me te larta per fryme ne bote.
Si do t’ia dale Basha? Kete, vetem ai mund ta shpjegoje.