Vazhdimi i ndryshimeve për t’u përshtatur me ambientin ku depërton, është pjesë e punës së viruseve, dhe sigurisht që SARS-CoV-2 nuk bën përjashtim. Kjo është arsyeja pse njoftimi për një tjetër variant të ri të koronavirusit që vjen këtë herë nga Japonia, nuk bëri ndonjë bujë të veçantë.
Ministri japonez i Shëndetësisë, tha se versioni i ri i patogjenit ishte i izoluar në vetëm 4 njerëz nga Brazili, ndërsa ata po kryenin periudhën e karantinës në aeroportin Haneda të kryeqytetit Tokio.
Një ngjashmëri e padëshiruar-Të katër udhëtarët e mbërritur në Japoni nga Amazona, janë një burrë rreth 40 vjeç, në fillim asimptomatik, por më vonë i shtruar në spital për shkak të një përkeqësimi të frymëmarrjes. Ndërkohë një 30-vjeçar raportoi dhimbje të fytit dhe dhimbje koke, një djalë adoleshent ishte me ethe, ndërsa një vajzë 10-vjeçare ishte asimptomatike.
Tani për tani, është studiuar vetëm profili gjenetik i këtij varianti të koronavirusit, i riemëruar B.1.1.248. Ai ka 12 mutacione në proteinën që rrethon koronavirusin, dhe të paktën njëra prej të cilave është e përbashkët me variantet angleze dhe afrikano-jugore. Pikërisht ky mutacion i zakonshëm, ka rritur frikën për një lehtësi më të madhe të mundshme të transmetimit të këtij varianti të koronavirusit, edhe pse për momentin nuk ka elementë që sugjerojnë një infektivitet më të madh.
Shkencëtarët nga Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive të Japonisë (NIID), po përpiqen të kuptojnë nëse ky version i ri i patogjenit, është gjithashtu i ndjeshëm ndaj përgjigjes imune të shkaktuar nga vaksinat.
Alarm maksimal-Më 7 janar, Japonia rishpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonën metropolitane të Tokios, pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve të reja në kryeqytet. Qytetarëve iu kërkua të qëndronin në shtëpi për aq kohë sa të ishte e mundur, ndërsa baret dhe restorantet po detyrohen të mbyllen që në orën 20.00.
Ndërkohë,autoritetet japoneze po planifikojnë të shtrijnë kufizimet në prefekturat e Osakas, Kiotos dhe Hiogos (në Kansai, ku është vendosur qyteti i Kobes), për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve të reja ditore, të cilat arritën në 7.882 të premten e datës 8 Janar.
Vendi – në të cilin tashmë po diskutohet një shtyrje e dytë e mundshme e Olimpiadës – ka vendosur gjithashtu kufizime shumë të rrepta për hyrjen në vend të të huajve, dhe 2 javë karantinë për ata shkojnë në Japoni për arsye madhore.