Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me strukturat e PS në Rrogozhinë, tha sot se Lulzim Basha gënjen kur deklaron se do të mbështesë arsimin, pasi u provua se në 4 vite si kryetar bashkie në kryeqytet, ku nuk ndërtoi as një shkollë të vetme. “E patë Lul Bashën te Fevziu? Nuk tha dot emrin e një shkolle të ndërtuar. Këmbëngulte gazetari – “më thuaj një!”, – ai thoshte kam bërë shumë. Kurse ne themi: Po, kemi ndërtuar shkollat “Kosova”, “Betim Muço”, “Servete Maçi”, “Ardian Klosi”, “Vaçe Zela”, “Andrea Stefani”, “Kristo Frashëri”, “Nënë Tereza”, shkollën “Kennedy”, – mund të vazhdoj pa fund, por të jesh kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, ku jeton gjysma e Shqipërisë dhe të mos bësh asnjë shkollë, e pastaj thua: “Unë dua rininë dhe arsimin”, është një gënjeshtër e madhe,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se Basha është lideri i vetëm që në vitin më kritik ekonomik shtoi 4 vila për veten e tij. “Jozefina ka të drejtë! Si ka mundësi, ky lider opozite, shtoi 4 vila gjatë kohës kur njerëzit humbën shtëpitë?! I pafytyrë!” – deklaroi Veliaj. Sipas tij, vota për PD dhe LSI është votë e çuar dëm, pasi ata i kanë braktisur edhe njerëzit më besnikë. Veliaj nuk la pa përmendur edhe Ilir Metën, për të cilin tha se sillet si i fortë nëpër qytet e jo si kryetar shteti.
“PD-ja sot nuk është më partia e Gramoz Pashkos dhe e Genc Rulit, as e intelektualëve që kishin një shpresë në vitet ‘90. Është reduktuar kokoshi, një thelë. Kanë mbetur një tufë njerëzish të dhunshëm, që nuk dinë të bëjnë as qytet, as shtet. LSI-ja, një herë majtas, një herë djathtas – një herë andej, një herë këtej. Ky pazar duhet të marrë fund! Shikon Presidentin e Republikës, vjen me të fortë, kap gjithë benzinatat e rrugës, me lloj-lloj rrugaçësh. Kur shikon që disa njerëz e kanë lidhur fatin e tyre me Anglinë e Hollandën, e s’kanë lidhje me Shqipërinë, i kanë bërë gati valixhet në datën 25 prill dhe nuk iu ha meraku fare për hallet tona, atëherë çdokush ka të drejtë të rikthehet pranë nesh dhe ne duhet t’i mirëpresim,” u shpreh Veliaj.