Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ironizoi sot kreun e PD, Lulzim Basha, për të cilin tha se e vetmja gjë që mbahet mend është barsoleta e tramit. Nga Njësia 9, ku zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të zonës, Veliaj tha se Partia Socialiste përfaqëson politikën e shpresës dhe të punës.
“Edhe në PD tallen e thonë (për Bashën): Pse ky i tramit do na sjellë fitoren ne? Tramin e pamë se si përfundoi, është bërë barsoletë brenda partisë së tyre. Si mund të mbahesh mend për barsoletën e tramit dhe të mos kesh ngulur një gozhdë në këtë qytet?! Ne përfaqësojmë një filozofi, injektimin e shpresës, na hanë duart për punë dhe politika jonë është shpresa!”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se 2021 do të jetë viti i rimëkëmbjes. Ai shtoi se Basha u vendos gjoba bizneseve dhe sapo merr prej tyre vila apo makina, i mbyll protestat. “Nuk e ngatërron matematikën ai kur merr vila dhe vë gjoba. Nisi protestat për Rrugën e Kombit dhe e la përgjysmë; nisi protestat te Astiri, sa i blenë ndonjë makinë, e la përgjysmë. I keni parë këto kullat? Dy ditë i shajnë, sa të marrin likuidimin, dhe nuk u bien më kullave”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se falë investimeve, jo vetëm që këto lagje nuk vuajnë më nga përmbytjet, por dhe vlera e pronës në Njësinë 9 është rritur.