“Shumica e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në mbarë vendin do t’i rikthehen mësimit në bankat e shkollës. Vetëm një pjesë e vogël e shkollave do të vazhdojnë me sistemin e alternuar online dhe në shkollë”. Pasi ekspertët e shëndetësisë e kanë konsideruar të qëndrueshme situatën e përhapjes së koronavirusit në vend, Ministria e Arsimit ka udhëzuar të gjitha shkollat që kanë mundësi t’i rikthehen procesit mësimor në klasa.
Shkollat që kanë mësues dhe nxënës të karantinuar si pasojë e koronavirusit dhe që nuk kanë mjedise të mjaftueshme do të vazhdojnë të bëjnë mësim sipas sistemit të alternuar, 3 ditë në shkolle dhe 2 ditë mësim nga shtëpia. Që prej mesit të Dhjetorit, Komiteti Teknik i Ekspertëve për parandalimin e Covid-19 i sugjeroi Ministrisë së Arsimit që të kalojë në mësim të alternuar online dhe në shkollë të gjithë nxënësit nga klasa e 6 deri në të 12. Këtë vit si pasojë e pandemisë, nxënësit janë lënë të lire të zgjedhin mësimin në shkolle apo online për rastet që ndihen të rrezikuar. Një ditë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që mësimi në universitete të vijojë online deri në një vendim të dytë.