Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku inspektoi punimet për disa projekte të nisura në qytet, një prej të cilëve, është ai përmbyllës i furnizimit me ujë 24 orë të krejt Vlorës, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillimim (KFW). Gjatë bisedës me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, kryeministri Rama thumboi ish kryeministrin Sali Berisha.
Rama kërkoi që të rehabilitohej fasada e tunelit në Ujë të Ftohtë, për të cilin tha se ngjan si një “banjo publike”. “Tani edhe këtë këtu duhet ta ribëjmë, këtë e bëri Saliu dhuratë për Vlorën, qe duket si hyrja me një banjo publike këtu, edhe ajo lart që duket sikur përmjerrë Posejdoni*, shikoje si eshte bere, duhet bërë një rehabilitim, hiqni pllakat e banjës e të bëhet e integruar me shkëmbin, plus finalja në lidhje me platformat atje….po ishte tuneli i ujërave të bardha të delirit të Saliut”, tha Rama.
Kreu i bashkisë së Vlorës, Leli tha se projekti për rrjetin e ujësjellësit është “një investim për përmirësimin e furnizmin me ujë të pijshëm që do përmirësojë më shumë se 50 % garantimin e furnizimit me ujë në gjithë territorin e bashkisë së Vlorës. Parashikohet një tub i dedikuar kanalizimi për të shkuar nga pika e furnizimit në depot e qytetit që përfundon para sezonit të ardhshëm turistik“.