Është mbyllur në barazim pa gola sfida mes Vllaznisë dhe Kastriotit e zhvilluar në Loro Boriçi të Shkodrës. Një hap fals në shtëpi ky për skuadrën e Thomas Brdariç, pas ecurisë pozitive me 3 fitore radhazi.
Pavarësisht përpjekjeve kuqeblutë, nuk arritën të mposhtnin portierin Isli Hidi, kjo padyshim edhe për meritë të këtij të fundit. Ky ishte barazimi i tretë në kampionat për Vllazninë, ndërkohë që në krahun tjetër, krutanët e Ndreut u rikthyen te rezultatet pozitive pas 2 humbjesh radhazi.
Vlen të theksohet lufta e ashpër sportive në fushën e lojës, teksa Kastrioti e mbylli me 10 lojtarë ndeshjen pas ndërhyrjes së ashpër nga mbrapa ndaj Da Silvës. Në javën e ardhshme, Vllaznia do të jetë mysafire në Elbasan ndaj Partizanit, ndërkohë që krutanët presin Bylisin në shtëpi.