Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga investimet e mëdha që po kryhen në Vlorë dhe transformimin që po pëson qyteti me përfitime të shumta për banorët, por edhe turistët.
“E shoh aq qartë me sytë e parafytyrimit Vlorën rrezatuese të së nesërmes dhe bukuria e saj tërheqëse m’i shumëfishon forcat e ma forcon këmbënguljen, në punën pa orar për ta ndryshuar çdo ditë, në çdo drejtim e zonë të saj Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri ishte sot në Vlorë ku pa nga afër ecurinë e punimeve për disa projekte të mëdha.
Kështu ka nisur rindërtimi i Sheshit të Flamurit, kthimi i tij në një hapësirë simbol të shqiptarëve, të integruar me parqet përreth e me kodrën e Varrezave të Dëshmorëve e me Zonën Historike dhe fillon bashkë me të. Po ashtu, ka nisur faza 2 e rehabilitimit të Zonës Historike, ku do të zgjaten segmentet me kalldrëm, do të shtrihet infrastruktura e re rrugore e nëntokësore, si edhe do të zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme hapësira këmbësore.
Projekte të mëdha janë edhe rindërtimi i kampusit universitar si edhe infrastruktura e lagjes pranë, duke e lidhur kampusin me bulevardin “Ismail Qemali.
Gjithashtu, po merr formë Lungomare plus me 1 kilometër plazh i kombinuar urban dhe natyral, me pishinë olimpike e pishinën e fëmijëve, parkingun nëntokësor, shëtitoren e pishave, si edhe njësitë e reja të shërbimit për pushuesit në standardet e një hapësire publike turistike me 5 yje.