“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me përpikmëri hapat e nevojshëm në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi që rregullon proceset e huamarrjes në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi sot Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
Gjatë një konference për shtyp, pas akuzave të ngritura nga presidenti Meta se Ministria e Financave ka negociuar një marrëveshje huaje pa marrë plotfuqinë për negociim nga Presidenti, Denaj shpjegoi se procesi i huamarrjes për financimin e projekteve që sjellin zhvillim dhe përfitime për qytetarët dhe rajonet në të gjithë Shqipërinë janë një praktikë 30 vjeçare e ministrisë.
Bëhet fjalë për projektin e rindërtimit në segmentin Vlorë – Orikum, i cili financohet nga Fondi Saudit.
“Mos e pengo Vlorën Ilir, sepse Vlora s’është bahçe e LSI, po është konaku i Shqipërisë. Projekti financohet nga Fondi Saudit dhe është bllokuar nga Ilir Meta, për arsyen e kuptueshme kollaj fare nga çdo qytetar i Vlorës e i Shqipërisë, nëse s’është kaçak i LSI-së”, shprehet Denaj.
Presidenti i Republikës, sipas Denaj, është informuar me dy shkresa, në lidhje me procesin e huasë, termin negociimit dhe arsyet e ndryshimeve të kërkuara.
“Në frymë të transparencës, dhe informimit si obligim institucional ndaj publikut, banorëve të zonave që janë pjesë e ndryshimeve infrastrukturore të dukshme, sqaroj se nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrimi financiar të ri për Republikën e Shqipërisë jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave financiare të rakorduar më pare”, tha Denaj.
Sipas ministres, ky është një rialokim i një detyrimi të siguruar më parë nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvend me ligj të veçantë.
“Ajo që kërkohet të arrihet është që me të njëjtin fond dhe burim financiar të negociuar dhe siguruar sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore të realizohet një projekt tjetër infrastrukturor në të njëjtin qark. Dakordësia me palën saudite është arritur për të ndryshuar objektin e financimit por jo termat financiarë. Kjo dakordësi i hapi rrugën dy proceseve. Së pari për të ratifikuar në Parlament këtë ndryshim, së dyti anulimin juridik të objekt investimit të mëparshëm, i cili në termin juridik quhet denoncim marrëveshjeje dhe është ratifikuar në Parlamentin shqiptar në 17 shtator të vitit të kaluar”, deklaroi ministrja.