Më 15 janar Pfizer dhe partneri i prodhimit të vaksinave BioNTech raportuan se kishin hartuar një plan që do t’u mundësonte atyre për të rritur kapacitetin e prodhimit të vaksinës Covid-19 në Evropë dhe premtuan dërgesa dukshëm më të mëdha përgjatë tremujorit të dytë të vitit, njoftuan burime që përputhen.
Por, për të arritur këtë qëllim, ata thanë se duheshin modifikime në procesin e prodhimit si rezultat i të cilit, prodhimi në objektin e tyre në Puurs, Belgjikë, do të ulej përkohësisht.
Kjo solli që Bashkimi Europian të përballej këtë javë me vështirësi në realizimin e vaksinave. Qendrat e vaksinimit janë gati, por nuk kanë vaksina.
Vendimi i Pfizer dhe partnerit gjerman BioNTech tronditi të gjithë Europën. Ata njoftuan se do të shtyjnë me një javë dërgesat në vendet me të cilat ka lidhur kontratë, me justifikimin se po ndryshojnë procesin e prodhimit për të rritur numrin e vaksinave që do të prodhohen në të ardhmen.
“Problemi qëndron kryesisht në njoftimin afatshkurtër të Pfizer. Ky është një problem tronditës”, theksoi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
”Unë e kuptoj që impiantet duhet të ndërrohen në një afat të shkurtër për të rritur kapacitetin në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Por, është shumë e pakënaqshme që kjo na është komunikuar praktikisht brenda natës”, shtoi Spahn, sipas Al-Jazeeras.
Ndërkohë, qeveria italiane i dërgoi një letër zyrtare paralajmëruese kompanisë farmaceutike Pfizer duke kërkuar që ajo të respektojë zotimet e saj kontraktuale për shpërndarjen e vaksinave antiCovid-19, deklaroi komisioneri special i qeverisë, sipas Reuters.
Letra rrit tensionin midis Bashkimit Europian dhe prodhuesit të vaksinës në SHBA, i cili njoftoi një ngadalësim të përkohshëm në dërgesat në bllok javën e kaluar.
Si pasojë e vendimit të kompanive, Italia do të pësoi një ulje prej 29% të dërgesave në javën në vijim dhe 20% këtë javë.
Ndërkohë, drejtuesi i Këshillit të Lartë të Shëndetësisë Franco Locatelli dha një deklaratë për shtyp ku thoshte se pritej që të arrihej niveli i dërgesave sipas kontratës më 1 shkurt, ndërsa tashmë jepen 20 000-25 000 vaksina në ditë, ndërsa dy javë më parë bëheshin 90 mijë vaksina.
Edhe Polonia u bashkua në kërcënimin për hedhjen në gjyq të kompanisë.
Në një intervistë për të përditshmen britanike ”The Financial Times”, presidenti polak Andrzej Duda ka thënë se vonesat në marrjen e dozave të vaksinës nga kompania farmaceutike Pfizer do të vononin fitoren mbi pandeminë e koronavirusit.
Duda i tha FT se kufizimet e Pfizer në dërgesat ishin një problem i madh për të gjithë dhe se çdo ditë beteja kundër Covid-19 i kushtonte pasuri Polonisë. Ai vlerësoi koston e vonesave në buxhetin polak në 220 milonë euro në ditë, sipas agjencisë polake të lajmeve, PAP.
Nga ana tjetër, pakënaqësi ndaj kompanisë ka shprehur edhe Suedia, teksa ka ndërprerë pagesat e vaksinave për Pfizer për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi numrin e dozave të vaksinave të dorëzuar nga kompania e barnave, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.