Shumë amerikanëve të papunë u kërkohen prova të stërholluara të identitetit të tyre, disa të tjerëve u thuhet se duhet të presin me muaj për të biseduar me një administrator të lartë për çështjen e tyre dhe sipas Alyssa Fowers dhe Heather Long, që shkruajnë për ”Washington Post”, janë 703 000 ankesa në pritje në të gjithë vendin dhe 529 000 persona që ende presin një vendim për përfitimin e papunësisë, çka do të thotë mbi një milion persona. Shumica e vonesave janë rezultat i tre faktorëve kryesorë si kontrollet e gjera për të parandaluar mashtrimet, sistemet kompjuterike dhe aplikacionet e vjetëruara që vlerësohen për një kontroll shtesë.

Kërkesat e lëna mënjanë për shqyrtim manual shpesh kërkojnë muaj për t’u zgjidhur.
Vonesa e dërgimit të ndihmës së papunësisë ka bërë që familjet të vonojnë shumë pagesat e qirave, të anulojnë trajtimet mjekësore dhe të stërmundohen për të blerë ushqime, sipas intervistave të bëra me dhjetëra persona, të cilët ende nuk kanë marrë para’, pavarësisht se kanë aplikuar për pagë papunësie që në pranverë ose verë.

Projektligji stimulues, që presidenti Donald Trump nënshkroi gjatë pushimeve, përfshin 300 dollarë shtesë në javë për të papunët, deri në mes të marsit, por ato para’ shtesë nuk do t’i ndihmojnë dot njerëzit që janë ende “pezull” në sistemin e papunësisë.

”Fakti, që kaq shumë të papunë janë ende në pritje të përpunimit të kërkesave të tyre, vë në dukje se sa e papërgatitur ishte SHBA-ja për t’u marrë me këtë krizë në shkallë të gjerë. Sistemi i sigurimit të papunësisë ka qenë i padrejtë”, shprehen analistët.

“Në Europë, po paguajnë për papunësinë përmes listave të pagave të kompanive, që është shumë më e thjeshtë dhe më e shpejtë. Këtu, sistemi duhet të trajtojë miliona raste individuale”, shtojnë ata.

Shumë shtete po përpiqen të kuptojnë se cilat prova janë të pranueshme për të treguar se një punonjës ka humbur punën për shkak të pandemisë ose nëse një prind me të vërtetë ka lënë një punë për t’u kujdesur për një fëmijë.

Paketa e fundit e ndihmave e miratuar nga Kongresi nuk përfshiu ndonjë fond shtesë për të ndihmuar zyrat e papunësisë që të përditësojnë kompjuterët e tyre. Një propozim i hershëm përfshinte një miliard dollarë për këtë, por kjo masë u hoq nga fatura përfundimtare.