Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK|) për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur i gatshëm për t’u ballafaquar me kandidatët e tjerë për kryeministër, por sipas tij, të gjithë duhet përmbushur kushtet elementare për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit. Hoti i cili edhe është kryeministër në detyrë, theksoi se kush ka probleme me Ligjin nuk mund të kërkojë të marrë post publik dhe të dalë para qytetarëve. “Vendimet e organeve të drejtësisë të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të cilat duhet të respektohen[…]fokusi dhe dëshira ime është që të ballafaqohem me të gjithë kandidatët për kryeministra që janë në këtë garë. Të gjithë ata që garojnë, por sigurisht duke i përmbushur kushtet dhe kriteret elementare të respektimit të ligjit. Por një gjë është e qartë se gjithkush që ka probleme me ligjin nuk mund të kërkojë të marrë post publik dhe nuk mund të dalë para qytetarëve”, tha ai.
Hoti duke komentuar slloganin e partisë, tha se “shteti-shtet” nënkupton ruajtjen e fondamentit të shtetit. “Sllogani im në këtë zgjedhje është shteti-shtet. Që nënkupton ruajtjen e fondamentit të shtetit. Të mos cenimit të fjalës së lirë dhe respektimit të shtetit në plotësi. Siç janë këto vendimet e organeve të drejtësisë tash në proces zgjedhor”, u shpreh ai.
Hoti këto qëndrime i dha pas homazheve që i bëri tek pllaka përkujtimore për hebrenjtë, që pësuan gjatë holokaustit, për të cilët tha se populli shqiptar bashkëndjen me ta. “Besoj që populli shqiptar është ndër popujt që më së miri e kupton popullin hebraik dhe bashkëndjen vuajtjet që ka pas gjatë historisë. Në emër të qeverisë sot kam bërë nderimet, unë jam krenar që si popull si shqiptar gjatë periudhës së luftës së dytë botërore kanë gjetur strehim pjesëtar të këtij komuniteti në Kosovë dhe Shqipëri”, deklaroi ai.
Ndërsa, i pyetur për takimin e sotëm me sindikatat e sektorit publik dhe privat, Hoti paralajmëroi pako të re për rimëkëmbje ekonomike. “Sot kam pas takim me të gjitha sindikatat e sektorit publik dhe sektorit privat. Me sa pash, ai nuk ishte në takim. Por unë kam zhvilluar takimin me të gjitha sindikatat e sektorit publik që mbulojnë 85 mijë të punësuar në sektorin publik. Kishim një diskutim shumë të mirë, përmbajtjesor duke diskutuar në detaje kërkesat që i kanë specifike. Diku për orë shtesë, diku për shtesa për menaxhim të pandemisë, trajtim të rrezikshmërisë siç është rasti tek zjarrfikësit, gardianët ose shërbyesit civil dhe polici e sektor të ndryshëm[…] tash e kemi një pako tjetër të rimëkëmbjes ekonomike dhe do të mundohemi që të dizajnojmë instrumente që t’iu dalim në ndihmë sektorëve në përgjithësi, por veçanti atyre që janë më të ndikuar si pasojë e masave që ka marrë qeveria” ,tha ai. Dje PZAP i dha mbështetje KQZ-së për mos certifikimin e liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe 46 kandidatëve të tjerë për deputetë, ndërsa sot është afati i fundit për ankesa të partive lidhur me këto vendime.