21 mjekë shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të Evropës i kanë dërguar një letër të hapur ditët e fundit, Presidentes së Bashkimit Evropian, Ursula Von Den Leyer dhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ku i kërkojnë që Shqipëria dhe vende e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të përjashtohen nga marrja e vaksinave kundër Covid-19. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë thotë se kjo letër është një apel ndaj Bashkimit Evropian për politikën që po ndjek për procesin e vaksinimit, ku vendet e pasura janë në rend të parë dhe vendet me të ardhura më të ulëta siç është Shqipëria, janë pothuajse në vendet e fundit.

“Kjo politikë në fillim u propagandua komplet ndryshe, pra u premtua që vaksina do të ishte për të gjithë, pa kufij gjeografikë, për sa i përket Evropës”, shprehen mjekët shqiptarë në letrën dërguar zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Aktualisht vetë shtetet evropiane janë duke u përballur me ritme të ulëta të procesit të vaksinimit për shkak të reduktimit të dozave nga kompanitë farmaceutike.

Në një lidhje Skype për “Wake Up”, neurokirurgu i njohur shqiptar, Kita Sallabanda tregoi pasojat që do sillte një proces vaksinimi i vonuar. “Do jetë një efekt negativ për vetë Ballkanin Perëndimor, sepse do dëmtohet ekonomia e Ballkanit Perëndimor, do mbyllet, do izolohet Ballkani Perëndimor. Por mos harroni që nga Ballkani Perëndimor ka shumë shkëmbime me pjesën tjetër të Europës. Kjo tregon që nëse ne nuk do ta bëjmë këtë politikë, do të kemi një transmetim të virusit në pjesën tjetër të Europës.

Po ashtu kanë filluar të shfaqen variantet e reja të virusit, ai varianti anglez, varianti i Afrikës së Jugut, varianti brazilian. Në qoftë se ata e gjejnë rrugën e futjes nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, kjo do të jetë e dëmshme për Europën. Kështu që, nga të gjitha aspektet ta shohësh, ky është një gabim taktik i BE, sepse do ketë dëme edhe në BE”, theksoi mjeku shqiptar.