Në qytetin e Laçit po vazhdojnë punimet e projektit të financuar nga Turqia për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, ndërkohë kantieri është vizituar nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe drejtues të Bashkisë së Kurbinit, raporton Anadolu Agency.
Ambasadori Yörük fillimisht realizoi një takim me kryetaren e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, në ambiente e institucionit, duke diskutuar rreth projektit të banesave dhe mbështetjes së Turqisë për Shqipërinë. Pas takimit, Yörük dhe Cara vizituan kantierin e banesave ku vazhdojnë punimet, duke inspektuar ecurinë e zbatimit të projektit. Në një deklaratë për AA pas inspektimit të punimeve, ambasadori Yörük duke kujtuar ceremoninë e mbajtur në dhjetor 2020 për hapjen e themeleve të banesave, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, nëpërmjet video-lidhjes, tha se nga pikëpamja e kohës projekti ka ecur shumë mirë dhe është për t’u lavdëruar në pikën që ndodhet.
“Kompetentët me të cilët kemi biseduar sot u shprehën shumë optimistë që siç i është dhënë fjala presidentit të Republikës së Turqisë që ky projekt me gjasa më të mëdha do të përfundojë brenda muajit gusht të këtij viti. Parashikohet që me përfundimin e këtij projekti të stabilizohen gati 522 familje, që përafërsisht parashikon që mbi 2 mijë qytetarë të jetojnë në këtë kompleks, në këtë lagje që po formohet”, u shpreh ambasadori turk. Ambasadori Yörük theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë vëllezërve shqiptarë.
“Ne si Republikë e Turqisë gjithmonë kemi qenë pranë vëllezërve tanë shqiptarë dhe njëkohësisht do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve shqiptarë me projekte të ndryshme, gjithmonë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe një mirëqenie të përbashkët. Të gjithë së bashku krah më krah do të vazhdojmë të kontribuojmë për njëri-tjetrin”, u shpreh më tej ambasadori i Yörük. Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, në një deklaratë për AA tha se një pjesë e mirë e banesave po shkojnë drejt përfundimit dhe sipas saj punimet kanë avancuar.
“Unë jam e kënaqur në fakt me gjithë investimin, por edhe shumë me cilësinë e punimeve që ndiqen këtu dhe korrektësinë nga kompania turke për gjithë garancinë e punimeve. Punohet me kapacitete të plotë, punohet me tre turne në këtë kantier dhe kjo më bën besimplotë që do jetë shumë shpejt dorëzimi i çelësave qytetarëve kurbinas për banesave të tyre”, u shpreh Cara. Ajo tha se projekti në fjalë do të jetë një projekt që do t’i japë një tjetër dimension qytetit të Laçit. “Është një lagje model ku do të marrë një zhvillim tjetër nga ajo që kemi parë këtu përpara. Do jetë një pol dhe mund ta quaj pol të zhvillimit ekonomik të këtij qyteti”, u shpreh Cara.
Projekti që përfshin ndërtimin e 522 apartamenteve, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç në Bashkinë e Kurbinit po realizohen nga kompania Albayrak.