Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar lidhur me akuzat që dy motra kanë bërë për mungesë shërbimi ndaj babait të tyre 79 vjeçar i shtruar me urgjencë në spitalin Covid1, duke sqaruar se pacientit i është ofruar shërbimi në kohë që në momentin që është paraqitur në spital. QSUT përmes një reagimi publik ka hedhur poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.

Reagimi i plotë i QSUT/ Reagim Publik: Tiranë më 16.02.2021; Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon:

Pacienti me inicialet R.L ,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)

Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve. I është bërë skaneri në orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).

Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në një shtet tjetër Europian për trajtim.
Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në Spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente.
Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo.

Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.

QSUNT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.
Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi çdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre. Gjithashtu garantojmë që stafi ynë mjeksor do bëjë të pamundurën, ashtu siç ka vepruar për gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm!

Reagim Publik:
Tiranë më 16.02.2021

Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke…

Posted by Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë on E martë, 16 Shkurt 2021