Vetëm pak orë pasi Komiteti i Ekspertëve njoftoi masat shtesë për luftën ndaj pandemisë së koronavirusit, një tjetër ‘bombë biologjike” elektorale është mbajtur në fshatin Hekal të Mallakastrës. Është ish-deputeti opozitar Enkelejd Alibeaj ai i cili ka mbledhur rreth 40 persona në një ambient të mbyllur, duke shpërfillur masat që ndalojnë grumbullimet, por në të njëjtën kohë duke rrezikuar shëndetin e banorëve të kësaj zone.

Takime të tilla, me nga 40 deri në 200 apo më shumë persona, të organizuara si nga partitë opozitare por edhe PS, po mbahen gjithnjë e më shpesh teksa po afrohen zgjedhjet e 25 prillit. Kryeministri Edi Rama tha se do t’i monitorojë reptësisht takimet e partive politike, ndërsa vendi përballet me valën më të lartë të infektimeve të reja. Ekspertët vënë alarmin se në vendin tonë me shumë gjasa ka hyrë varianti i ri i vurisit Covid, ndërsa është ulur edhe mosha e personave të infektuar. Në 24 orët e fundit humbën jetën 15 pacientë. Por hipokrizia shkon më tej, teksa politikanët organizojnë takime të tilla, ndërsa janë po kolegët e tyre që ankohen për rrijten e shifrave të Covid, apo zgjedhin të denoncojnë vetëm ato evente të kundërshtarëve politikë.