Angelina Jolie ka pozuar së fundmi për “British Vogue” dhe ka bërë një rrëfim të gjatë për jetën e saj personale e shumë e shumë gjëra të tjera. Ylli i Hollywood-it pozoi me elegancë në oborrin e shtëpisë, rrethuar nga qentë e saj. Në intervstën e saj, Jolie tregoi se përgjatë gjthë këtyre muajve ajo ka shijuar qëndrimin në shtëpi me gjashtë fëmijët e saj. “Nuk e di. Vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira. Kam qenë e përqendruar në shërimin e familjes. Duket se më në fund akulli po shkrin dhe gjaku po rikthehet në trupin tim”, është shprehur Angelina kur është pyetur nëse është e lumtur me jetën e saj.
Përveç fotove dhe intervistës me ikonën e bukurisë, “British Vogue” ka realizuar edhe një video të shkurtër me Jolie. Kjo e fundit ka treguar për të gjithë se çfarë mban gjatë një dite normale në çantën e saj dhe ka pranuar se në fakt nuk ka asgjë interesante, sepse çantën e mbush me gjëra të fëmijëve. “Përshëndetje British Vogue, jam Angelina dhe ja çfarë kam në çantën time. Ndonjëherë kam nga ata çantat e mëdha tipike të mamave dhe në të mund të ketë gjithçka. ‘Mami më mbaj pak telefonin. Mami a mund ta mbash këtë? Më duhet kjo. Merr dhe këtë’, thonë fëmijët dhe unë zakonisht marr ndonjë gjë të vogël për të ngrënë, telefona, libra, bluze, gjithçka që mund t`ju shkojë në mendje, por ja çfarë mbetet nga gjërat e mia”, thotë Angelina dhe më pas nxjerr syzet e saj të diellit e celularin.
Më pas ajo nxjerr parfumin, lapsat e syve dhe një çokollatë, që të gjithë menduan se ishte për fëmijët, por aktorja e kishte për vete.