Pas arrestimit të mjekut Edvin Prifti, Report Tv mëson se të tjera kallëzime kanë mbërritur në SPAK nga qytetarët që denoncojnë se kanë dhënë para në këmbim të shërbimit. Gazetari Arsen Rusta raporton se SPAK po kryen hetime mbi origjinën e parave që iu gjetën Priftit në shtëpi dhe zyrë, teksa janë shtrirë edhe në gjetjen e personave që mund të kenë pasur lidhje me mjekun e që shërbenin si sekser për gjetjen e pacientëve dhe transferimin e tyre në privat. Nga ana tjetër, avokatët e kardiologut kanë depozituar në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e tij.
Mjeku Edvin Prifti u la pak ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, edhe pse ai pretendonte se këto para i kishte fituar nga çmime ndërkombëtare që kishte fituar. Emri i Edvin Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua disa ditë më parë me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi.
Gjithashtu Report Tv mëson se ndër provat e sekuestruara të SPAK gjatë hetimit janë edhe shënime ku ishin shkruar emrat e pacientëve dhe lekët që ata i kishin dhënë.