Arsenali synon kualifikimin në raundin e 1/8 të Europa League. Nesër luhet sfida e kthimit ndaj Benficas (18:55), teksa takimi i parë i luajtur në Lisbonë përfundoi në barazim 1-1. Trajneri i “Topçinjve”, Mikel Arteta foli rreth duelit të dytë ndaj ekipit portugez në konferencën për shtypin, ku ndër të tjera tha:
“Thomas pritet të kthehet në dispozicion. Sot do të kryejmë një test force me të, me shumë mundësi do të grumbullohet për ndeshjen e nesërme. Holding nuk do të jetë i gatshëm. Arsenali e ka për detyrë të zbresë në fushë gjithmonë për fitore, kështu që duhet të luajmë çdo ndeshje si një finale.
Është më mirë të kesh presionin për të fituar sesa të mos humbësh. Më pëlqen presioni i fitores. E kemi finale ndaj Benficës, fitorja e Europa League na jep mundësinë të luajmë në Champions sezonin e ardhshëm. Rikthimi i tifozëve në stadiume? Mezi po pres që t’i kemi sërish në mbështetje të skuadrës. Të gjithë futbollistët kanë shumë nevojë për praninë e tifozëve. Na mungon realisht shumë energjia dhe pasioni që transmetojnë te ne“, përfundoi trajneri i Arsenalit.