Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka zhvilluar një takim online mbajtur nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës.
Nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij të “Facebook”, z. Gjiknuri bën me dije se në qendër të diskutimeve ishte ecuria e punës së deritanishme të komisionit, teksa ka informuar pjesëmarrësit se drafti për financimin e partive politike është në fazën finale.
Ai ka njoftuar edhe për hapin e radhës të Komisionit teksa bën me dije se do të nisë puna konkrete për ndryshimet në kodin zgjedhor, përfshirë këtu edhe rekomandimin e përhershëm të OSBE/ODIHR, sikurse është depolitizimi i administratës zgjedhore.
Gjiknuri bën me dije se mazhoranca është e hapur për dialog dhe konsensus me opozitën për të diskutuar dhe gjetur gjuhen e përbashkët lidhur me këtë çështje.
“Reforma zgjedhore është një proces që kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe vullnet për të gjetur zgjidhje që i shërbejnë zgjedhjeve më të besueshme dhe demokracisë shqiptare”, theksoi ai.










