Atalanta ka lënë pas zhgënjimin e humbjes në Champions ndaj Real Madrid dhe është rikthyer te fitorja në kampionat ndaj Sampdorias me shifrat 0-2.
Një ndeshje e dominuar totalisht nga bergamaskët që shënuan nga një gol për çdo pjesë. Goli i parë u shënua nga Malinovsky në minutën e 40-të pas një aksioni shumë të bukur, ku ukrainasi u shërbye nga Muriel dhe i vetëm përballë portierit dërgoi topin në trekëndësh.
Për të mbyllur çdo llogari mendoi Gosens, i cili shënoi në minutën e 70-të. Pas një krosimi që erdhi nga e djathta, gjermani u tregua dinak dhe shtyu topin drejt rrjetës duke dyfishuar shifrat. Kështu, Atalanta mori një sukses mjaft të rëndësishëm për luftën për një vend në zonën Champions. Ekipi bergamask është ngjitur në vendin e katërt me 46 pikë, po aq sa Juventusi i vendit të tretë.