Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanin, Taulant Balla zhvilloi këtë fundjavë një takim me artistët, ku ndanë mendime për rigjallërimin e jetës artistike në qytet dhe shndërrimin e Elbasanit në destinacion turistik.
Prej një viti puna e artistëve është pezulluar tashmë, por ata paraqitën projektet e tyre, jo vetëm për rikthimin sa më shpejt të jetë e mundur, por edhe projekte të vogla të cilat respektojnë rregullat Covid.
Balla ndau me artistët projektin për rivitalizimin e kalasë së Elbasanit, një projekt ambicioz që synon ta kthejë kalanë e Elbasanit në destinacion të fundjavës. Kreu i grupit parlamentar i PS-së, mori shembull modelin e Korçës, Tiranës apo Vlorës, duke theksuar potencialin edhe më të madh të kalasë së Elbasanit.
Por Balla kërkoi bashkëpunimin e banorëve të kalasë të cilët zotërojnë prona dhe mund t’i shndërrojnë ato në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkisë. Por shndërrimi i kalasë nuk do të kishte kuptim pa jetën artistike brenda saj dhe artistët shprehën optimizmin e tyre për këtë projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Elbasanit. Në prag të Ditës së Verës artistët gjithashtu ndanë mendime për organizimin aktiviteteve të vogla në zbatim të rregullave anti COVID-19.