Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një bashkëbisedim me votuesit për herë të parë në Elbasan. Në një grup me më pak se 10 vetë dhe duke zbatuar rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik, Balla u shpreh se të rinjtë duhet të jenë shembulli më kuptimplotë i zbatimit të masave antikovid. Duke rikujtuar se si ka qenë Elbasani vite më parë, Balla theksoi se ndër vite ndryshimet kanë qenë të dukshme.

“Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të transformimit të Elbasanit me disa projekte të mëdha. Kush do ta krahasonte 2013 si e gjetëm ne Elbasanin dhe si është sot, numri i vendeve të punës është shtuar me disa herë”, tha Balla.

I pyetur nga maturantët nëse do të ketë lehtësime për t’u pranuar nga universitetet për shkak të pandemisë, Balla tha se çdo gjë do t’i kthehet normalitetit shumë shpejt pasi të vaksinohen të gjithë qytetarët. “Masat që po ndërmerr qeveria do na çojnë drejt krijimit të një imuniteti të masës dhe do t’i kthehemi shumë shpejt normalitetit. Brenda një viti do të kemi përfunduar vaksinimin për qytetarët që duan”, deklaroi Balla. Ndër zhvillimet me fokus Elbasanin, Balla u shpreh gjithashtu se do të punohet për hapjen e një qendre të teknologjisë së informacionit që të gjithë të rinjtë që kanë interes të marrin informacionin e nevojshëm. Prioritet për Ballën dhe kryebashkiakun Gledian Llatja në Elbasan mbetet shtimi i numrit të të punësuarve, por pa harruar edhe sektorin e turizmit dhe zhvillimin e shkollave profesionale.

Duke iu rikthyer sërish çështjes së arsimit profesional Balla “thumboi” opozitën.
“Në vitin 2013 që kur Lul Basha ishe në qeverisje me Monën e Ilirin dhe me krye Saliun në këtë vend, mbaronin vitin shkollor 30 mijë student dhe shpërndaheshin 60 mijë diploma. Nëse nuk do kishte ardhur PS në qeverisje ai sistem do ishte perfeksionuar edhe më tej madje mund të kishim kaluar në metodën që sa mbaron 8-vjeçaren do kaloje direkt në universitet”, tha Balla.