Pavarësisht vështirëve të krijuara nga pandemia, në zonën e Kombinatit ka marrë jetë një sipërmarrje fason, e cila produktet e saj i tregton në tregun italian. 100 vende të reja pune janë hapur në këtë ndërmarrje, kryesisht për banorët e njësisë numër 6, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në ekonominë e zonës.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për njësinë Nr.6, Belinda Balluku, vizitoi këtë sipërmarrje, ku bisedoi me punonjësit dhe u njoh nga sipërmarrësit me iniciativën e tyre, duke i garantuar ata për mbështetjen e plotë.
Balluku vlerësoi hapin e ndërmarrë nga dy investitorët, të cilët kanë nisur këtë ndërmarrje, pavarësisht situatës të krijuar në të gjithë botën si pasojë e pandemisë, teksa u ndal edhe tek vendimi i Qeverisë Shqiptare për rritjen e pagës minimale.
“Rritja e pagës minimale ka sjellë një stabilitet të punonjësve. Punonjësit nuk largohen më siç zakonisht ndodhte duke krijuar një kosto. Kontratat janë shumë të rëndësishme dhe mbahen vetëm prej cilësisë së garantuar dhe për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur”, tha Balluku.
Duke garantuar mbështetjet e Qeverisë për investitorët, Balluku theksoi: “Do të jemi në krah të çdo investitori, i cili krijon vende të reja pune. Hapja e bizneseve të reja, apo zgjerimi i atyre ekzistuese ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë jo vetëm të zonës ku ato ushtrojnë aktivitetin, por edhe në ekonominë kombëtare”.
Drejtuesja e PS për Kombinatin i uroi pronarët e fasonerisë që gjithçka t’ju eci siç duhet dhe pandemia të iki sa më parë, në mënyrë që ata te kenë sa më shumë kontrata dhe të punësojnë sa më shumë gra dhe zonja sidomos nga zona e Kombinatit.
“Unë do jem për gjithçka që ju do keni nevojë. Është kënaqësi që ne të mbështesim të gjithë bizneset e reja në të cilat punojnë një numër i madh punonjësish. Ju do të keni mbështetjen tonë në çdo hap që t’ia dilni edhe në kohë të vështira”, nënvizoi Balluku.
Vetë punonjëset që janë pjesë e kësaj ndërmarrje u shprehën të kënaqura sa i takon kushteve në të cilat ato punojnë.