Banesat e përfituara nga Programi i Rindërtimit nga banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të jenë pronë e tyre. Kështu deklaroi ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë inspektimit sot të punimeve në lagjen e re në Ndroq ku theksoi se banesat e reja nga Programi i Rindërtimit janë pronë e përfituesve, të cilën e trashëgojnë, mund ta shesin apo japin me qira.
Ahmetaj tha se aludimet se banesat nuk do jenë në pronësi të banorëve përfitues, është një thashethem elektoral. “Deri tani janë të regjistruara më shumë se 32 mijë familje që përfitojnë nga procesi i rindërtimit. Para një jave, ne kaluam vendimin e qeverisë, ku i kemi dhënë të gjithë bashkive edhe kontratën tip për shtëpitë, që do të thotë që bashkitë të futen në procesin e marrëveshjes me të gjithë familjet që janë dëmtuar që përfitojnë shtëpi. Dua t’i them qytetarëve që shtëpinë e gëzojnë, e trashëgojnë e shesin, i bëjnë çfarë të duan. Çdolloj thashethemi poshtë e lartë, që qeveria nuk i lë ta shesin, ta japin me qira, është gënjeshtër”, – theksoi Ahmetaj.