Barcelona është në prag të zgjedhjeve për president dhe gjatë këtyre muajve po bëhet fushatë dhe kandidatët po shpalosin planin e tyre. Të diktuar edhe nga vetë situata prej pandemisë dhe krizës së klubit, pretendentët për të marrë Barcelonën në dorë nuk mund të premtojnë gjëra të mëdha.
Së fundmi është Toni Freixa, i cili ka treguar një pjesë të planit të tij për të rikthyer Barcelonën të shëndetshme financiarisht dhe sportivisht. Ai shprehet se do bisedojë me lojtarët, veçanërisht Messin për të ulur pagat e tyre si dhe do mbështetet te talentet e rinj.
“Do të duhet të ulim shpenzimet. Kemi një plan për ta bërë këtë. Ai përfshin negociatat me lojtarët për uljen e pagave, veçanërisht njërin prej tyre. Messi është i vetëdijshëm se klubi ka nevojë për ndihmë dhe kjo duhet të ndodhë pa përfunduar pandemia. Do mundohemi të ringrihemi duke ndërtuar në të njëjtën kohë edhe Espai Barça.
Do rrisim të ardhurat me 150 milionë euro dhe 50 prej tyre do shkojnë për të shlyer paratë për të ndërtuar stadiumin e ri. Barcelona është klubi më i madh në botë dhe pavarësisht nga keqmenaxhimi i paraardhësit, mund të shkojë përpara. Në vitin 2010 ishim në një situatë të ngjashme.
Ne e ulëm borxhin, fituam tituj dhe u konsoliduam. Zgjidhja jonë e parë është të menaxhojmë klubin nga ana sportive. Ne nuk jemi një klub që blejmë lojtarë dhe i shesim me dyfishin e çmimit. Duhet të kthehemi në modelin tonë të menaxhimit, duke aktivizuar lojtarë të rritur në La Masia.
Gerard Pique u dëmtua rëndë dhe atë e zëvendësuan Mingueza dhe Araujo, që kanë shkëlqyer dhe mund t’i quajmë zbulime. Nëse do kishim para, do kishim blerë një tjetër dhe ata të dy do të digjeshin”, tha ndër të tjera Freixa.