Pas një viti pandemie, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë çdo faturë që kanë shpenzuar gjatë pandemisë për trajtimin e sëmundjes. Ai premtoi se me qeverisjen e tij do të bëhet gjithçka që të lehtësohet sa më shumë përgjegjësia ndaj qytetarëve. Basha foli për një plan rimbursimi, por nuk dha detaje.
“Deri më 25 Prill ta konsiderojmë shoqërinë jetime dhe të kujdesemi sa më shumë për njëri-tjetrin. Prandaj ju lus të merrni të gjitha masat, që nga maskat mbrojtëse, që nga higjiena, që nga distancimi. Për të gjithë ata që kanë mundësi financiare të bëjnë gjithçka për të zbatuar protokollet shëndetësore të rekomanduara dhe të ruajnë të gjitha faturat, sepse qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka, që borxhin ku iu ka zhytur papërgjegjshmëria e qeverisë e Ramës, mos të jetë gur në qafën tuaj, por të mundësohemi t’ua lehtësojmë sa më shumë dhe ta vemë në veprim pas 25 Prillit. Prandaj dokumentoni çdo shqetësim real të cilën kjo qeveri nuk e rimburson. Ju drejtohem në veçanti familjeve shqiptare”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së foli në lidhje me këtë çështje gjatë një takimi me mjekë dhe infermierë.