Nga Ylli Pata/
Berati, përveçse një vulë identitare është edhe një sindromë politike në Shqipëri. “Tradhtia” e Beratit është pyka më e madhe për Gjergj Kastriotin, “Pleniumi” i Beratit desh rrëzoi por edhe shpëtoi Enver Hoxhën në nëntorin e 1944. Në Berat, ka mbetur e paharruar shprehja e një militanteje, edhe e pa ngulur në Shpirag: “S’duam as ujë as drita vetëm Fatos Nano me Ilir Metën të kenë unitet”.
Një ditë më parë, doktori zgjodhi Beratin, ndoshta pa menduar se do të kishte edhe ai metamorfozën e tij të qytetit 2400 vjeçar, natyrisht me më shumë qyfyre.
Sali Berisha është një personazh politik, ndoshta më i imitueshmi nga shumë gjenerata, të cilin e njohin aq shumë sa batutat ja dijnë përmendësh, si dhe mënyrën, tempizmin, e të gjitha mjeshtëritë aktoriale të tij në skenën e politikës ku ka performuar papushim për 40 vjet.
Për të qëndruar në treg, një aktor i vjetër, edhe pse do të luajë role gjyshash tashmë, duhet të përshtatet me kohën, brezin e ri, por edhe batutat e mënyrat që kërkon koha e re. Është një sfrorco më vete, por një usta i vjetër, di se si t’i përshtatet nahisë së tregut, në të gjitha zejet.
Sali Berisha, xhanëm nuk është i vetmi, por është ikona, është tipi i ustait që i bie fyllit vetëm në një vrimë, sa të gjithë e dinë se çfarë do thotë, si e thotë, e me çfarë grimasash në momentet e caktuara.
Me një fjalë, e njohin përmendësh, të gjithë. Luisi me batutat e doktorit bëri gol në Big Brother, plus që ushtria e imituesve të tij amatorë e profesionistë përbën një armatë, ku qyfyret i shpërndajnë në gëzime e vaki.
Kur të tjerët, mendo demokratët, që janë kthyer në berishologë të nivelit akademik. Kanë 40 vjet që janë specializuar në shkencën që e kanë marrë me dispenca propagande; qoftë në “leksione”, “seminare” apo edhe “mbrëmje tematiko dëfrimi”.
Siç ishte një student i gazetarisë në Shkodër para pak vitesh që për të sulmar Lul Bashën, tregoi talentin e tij si e imitonte perfekt doktorin.
E pasi entuziazmoi enturazhin mediatik, që edhe pse rrijnë gjithë ditën me batutat e Berishës, i trajtojnë pa qejf, e u duk se zbuluan hënën, pedagogia e “klonit” të Berishës shpalli online se katedra e gazetarisë së Shkodrës është e gjitha “O’Clone” i doktorit.
Kjo “Zhade e Shekullit të Ri” që kujtonte se ka arritur realisht që të prodhonte në laborator “ Sali Berishën”, i cili do rilindë nga frigoriferi pas largimit të tij, nuk di që militantët e PD-së, janë mjeshtra me kategorinë e 7 për berishologji, në xhep.
E njohin aq thellë, sa kanë pranuar me ndërgjegje ta durojnë, edhe pse e dinë që ja fut kot apo pergjithesisht kot. Ajo frazë e demokratit të moshuar beratas, me një edukatë brilliante, por dhe humanizëm të ndjerë, se “po erdhe në krye të qeverisë, ne na shtohet jeta edhe 10 vjet”, ishte “’llaf miku” kur thonë dibranët.
Nëse doktori(që e ka kuptuar e ka kuptuar), do ta pranojë mençurinë alegorike të demokratëve të tij, duhet të ikë sot. As nuk diskutohet që ai ka fansa në partinë e tij, madje edhe më gjerë saj. Që e respektojnë e kanë ndjenja reale për liderin e vjetër, siç kanë ithtarët e Ahmet Zogut, e që s’janë pak, apo të Enver Hoxhës, të cilët gjithashtu nuk janë pak, përkundrazi.
Por, ka një dallim, të gjithë këta “fansa” apo “tifozë” politike, të cilët në Shqipëri ka goxha, madje edhe për nja dy breza se pastaj do i lënë pas, nuk janë të paditur politikisht.
Edhe pse mund të jenë të shkarë e pasionantë në tifozllëkun e tyre për liderin, nuk do të thotë se janë aq të verbër sa të mos shohin atë që një i tillë nuk e arrin.
Ndërhyrjet e tre demokratëve të Beratit, ishin tipike alegori që nëse doktorit i ka mbetur ndopak intuitë politike, e kupton se çfarë duhet të bëjë.
Qoftë ai që e kritikoi me lezet për “mendimin ndryshe”, qoftë ai që i tha se nës vjen në qeveri do të jetojë më gjatë, qoftë ai tjetri që ftoi bashistët për “refleks”, ishin shuumë më lart se ekipi që PD nxjerr përditë në publik.
Arritën të bëhen lajm që qarkullon prej 24 orësh, me tre batuta. Ata e dijnë që nuk vijnë në pushtet me “lexhendën” e tyre, por nuk e braktisin deri në fund. Përveç të metave, kjo është një veti e veçantë në Shqipëri, që në Angli i thonë luajalitet, e te ne i thonë burrni.
E megjithëse i thanë se nuk do t’i ndahen, i kujtuan shefit të tyre që ta ndryshojë pak skenarin e dramës, se është bërë si shumë e parashikueshme. Ndaj dhe akuzat për Salanjin që e lidhi me gjithçfarë emrash pa lidhje, militantët e dinë se pas disa ditësh do të zhvendosen tek një saljan tjetër. Mjafton që doktori ta fusë në shënjestër.
Këtë fenomen, disa të teatrove amatore mund ta quajnë si aftësi e hatashme kujtese, por ka profesionistë që e kanalizojnë në trajtat e patologjisë, natyrisht të pakthyshme…




















