Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi sot një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të një prej universiteteve private në vendin tonë. Por, edhe pse e shiti si takim me studentë dhe pedagogë nga Universiteti i Tiranës, me një kërkim të thjeshtë kuptohet se bëhet fjalë për Universitetin privat Polis, i cili është në pronësi të Besnik Aliajt, funksionar i lartë i PD-së, dhe biznesmenit Gazmend Haxhiaj.
Besnik Aliaj është promovuar nga Basha në krye të Departamentit të Planifikimit dhe Zhvillimit Urban, ndërsa është katapultuar edhe në Këshillin Kombëtar të PD. Po ashtu, ai ka kandiduar në siglën e PD-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Ndërsa, biznesmeni Haxhiaj rezulton se është njeriu me të cilin Basha zhvillon fushatat. Përveçse figuron aksioner në Universitetin Polis, Haxhiaj është edhe pronar i Kompanisë Avis (ASG), nga e cila Lulzim Basha ka marrë furgonin që përdor zyra e shtypit e PD-së. Nga ana tjetër, Lulzim Basha duket se i beson Haxhiajt të gjitha eventet publike të PD.
Pjesë e Universitetit Polis është edhe një tjetër anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, Taulant Bino. Sikurse mund të shihni edhe në këtë foto, nga konferencat për media me logo të PD, tashmë daljet e Lulzim Bashës dhe këshilltarëve të tij janë kamufluar me logo universiteti, duke i kthyer studentët në dekor partiak.