Bayern Munchen ka mposhtur kampionin e Amerikës Qendrore, Tigres për t’u kurorëzuar kampion në Botërorin e Klubeve që u mbajt në Katar. Të vetmin gol në këtë ndeshje e shënoi Pavard edhe atë nga një pozitë që sigurisht do të diskutohet në media në vazhdim Bayern do të kthehet në Munich të Gjermanisë me trofeun e gjashtë brenda një sezone, duke u barazuar kështu me Barcelonën e vitit 2009, e cila kishte fituar njëjtë trofe me Pep Guardiolën. Bayern e filloi fuqishëm këtë ndeshje ku Kimmich do të shënonte një gol të bukur nga largësia në minutën e 18.
Megjithatë, goli do të anulohej pasi që Lewandowski ishte në pozitë jashtëloje dhe VAR konkludoi se ai kishte marrë pjesë në aksion. Në minutën e 34-të Bayern përsëri u treguan të rrezikshëm pasi që arritën ta godasin shtyllën me anë të Leroy Sane. Në minutën e 51-të Gnabry kishte mundësinë më të mirë për të shënuar. Ai mori një top të bukur e goditi atë por që topi nuk përfundoi në rrjetë por në shtyllë. Në minutën e 59-të, Bayern do të shënonte gol. Ishte një krosim në zonë që shkojë të Lewandowski e që në fillim u dukë se ai është në pozitë jashtëloje. Megjithatë topi shkon të Pavard ku ky i fundit nuk e pati të vështirë që të shënojë golin e parë në këtë takim që doli të jetë edhe goli i fitores.
Edhe pse pësuan gol Tigres nuk arritën që të rrezikojnë pothuajse asnjëherë seriozisht portën e Neuer. Bayern ka mundur që ta dyfishonte epërsinë në minutën e 85-të Douglas Costa bëri një goditje të fuqishme por edhe më e bukur ishte pritja e portierit Guzman të Tigres që ia mohoi golin. Deri në fund të ndeshjes Tigres nuk tregoi rrezikshmëri për portën e Bayernit dhe ky do të jetë trofeu i gjashtë i bavarezëve brenda këtij sezoni. Ata kanë fituar Ligën e Kampionëve, Bundeligën, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e UEFA-së, Superkupën e Gjermanisë dhe tani Botërorin e Klubeve. Këtë sukses e kishte arritur vetëm Barcelona në vitin 2009 kur udhëhiqej nga Pep Guardiola.