Zëdhënësi për Shëndetësinë i Komisionit Europian (KE), Stefan De Keersmaecker deklaroi se Bashkimi Europian (BE) është i hapur për blerjen e vaksinave të koronavirusit të ri (COVID-19) të zhvilluara nga Kina dhe Rusia nëse dozat plotësojnë kriteret. Në konferencën ditore për media, De Keersmaecker theksoi se përveç efikasitetit dhe sigurisë së provuar klinikisht, blloku europian kërkon që prodhuesit e vaksinave të përshtaten në “buxhetin e duhur”, si dhe të “kenë kapacitetet e duhura të prodhimit në territorin e BE-së, në mënyrë që ata të mund të furnizojnë sa më shpejt qytetarët e BE-së”. “Nëse kompanitë mendojnë se mund t’i plotësojnë këto kritere, ata mund të kontaktojnë Komisionin Europian”, u shpreh De Keersmaecker.
De Keersmaecker po ashtu njoftoi se Agjencia Europiane e Barnave dhe zhvilluesi i vaksinës ruse Sputnik V janë në kontakt, por në këtë fazë nuk është bërë asnjë kërkesë për autorizim tregu. BE, e cila ka një popullsi prej 450 milionë banorësh, për blerjen e rreth 2,3 miliardë dozave të vaksinës ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë kompani, përkatësisht me Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline. Blloku pret të marrë deri në 600 milionë doza të vaksinës së koronavirusit deri në fund të muajit shtator nga prodhuesit Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson.
AstraZeneca po ashtu njoftoi se synon të shpërndajë 40 milionë doza në tremujorin e parë të vitit. Strategjia e Komisionit Europian për vaksinat synon që vendet anëtare të BE-së të imunizojnë të paktën 70% të popullsisë deri në verë. Duke akuzuar BE-në për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave, në muajin janar qeveria hungareze nënshkroi kontrata për blerjen e 2 milionë dozave ruse të kompanisë Sputnik V, si dhe të 5 milionë dozave kineze të kompanisë Sinopharm.
Hungaria u bë vendi i parë i BE-së që autorizoi dy vaksinat COVID-19. Në mungesë të autorizimit të rregullatorit të BE-së, Instituti Kombëtar i Farmacisë dhe Ushqimit i Hungarisë dha miratim për përdorim urgjent për një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh.