Shkëlqim Hajdari, anëtar i kryesisë së Klubit basket Partizani ka folur sot në një bisedë në rubrikën Opinion në News24 për ikjen e parakohshme nga jeta të një prej personaliteteve më të shquara të basketbollit shqiptar, ikonës së klubit të Partizanit dhe Kombëtares, Arben Fagu.

Jo pa emocione, Hajdari ka shprehur vlerësimin më të madh për ish-lojtarin e Partizanit dhe trajnerin e klubit të kuq që u shua në moshën 65-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë. Ai tha se ikja e tij është e dhimbshme dhe se ceremonia e përcjelljes së Arben Fagut bashkoi njerëz me vlera qytetare.

Sot unë kam parë pas shumë viteve, që nga koha kur ndërroi jetë Teodor Keko që një njeri mund të bashkojë njerëz bazuar në vlera qytetare siç ishte Arben Fagu dhe familja Fagu. Kanë folur dhe i kanë shprehur ngushëllimet familjes Fagu që nga personalitetet më të mëdha të vendit, drejtues të klubit Partizani etj., të cilët pa asnjë diskutim kanë nxjerrë në pah vlerat njerëzore, intelektuale qytetare të Arbenit dhe familjes Fagu. Në këtë kohë që kalojmë, njerëz të tillë që largohen nga kjo botë duhet të shërbejnë si momente reflektimi. Agim Fagu, Arben Fagu, Drita Fagu, janë fëmijë të të madhit Besim Fagu që nga lufta direkt krijoi klubin Partizani. Me një devocion shumë të madh krijoi një klub që u bë pjesë e edukimit, tha Hajdari.

Si një mik i familjes Fagu, ai tha se nuk mund të gjesh një Fag në Tiranë që nuk ka kontribuuar duke theksuar dashurinë e tyre të madhe për vendin, sportin e kulturën.
“Familja Fagu është e madhe. Jam mik i familjes Fagu. Nuk mund të gjesh në Tiranë një Fag që mos të ketë dhënë kontribute. Ikja e Benit ishte e dhimbshme, një dhimbje e madhe për bashkëshorten e tij Pranverën, për nënën e tij dinjitoze. Sigurisht për Gimin, por edhe për Dritën dhe të paslindurit, por sidomos për Gimin.
Ai ishte djali i Besim Fagut dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Në familjen e tyre nuk ka shkuar asgjë haram. Veçse i kanë dhënë Shqipërisë, Tiranës, sportit. Kishin një dashuri të madhe për atdheun, për sportin, kulturën, artin”, u shpreh Shkëlqim Hajdari.

Sipas tij, ikja e njerëzve të tillë është një humbje e madhe. “Sjellja e Benit është ajo sjellje që në gjuhën fetare i thonë, ‘Zoti i ka bërë për vete’. Një njeri shumë paqësor.
Të gjithë bashkë arritëm që Partizani i shkatërruar para 3-4 vitesh u bë një ekip dhe ekipet zinxhir të basketbollit u krijuan. Na ka ikur ai që ishte kryesori. Ben Fagu që punonte me mish e shpirt që Partizani t’i afrohej lavdisë së madhe si atëherë kur ishte ai dhe vëllai i tij. Si Beni ishte krenar për Gimin, ashtu dhe Gimi ishte krenar për Benin”, tha ai.
Hajdari tregoi se sot në varrimin e Arben Fagut ishte gjithë Tirana, jo në kuptimin e masivitetit, por sot kishte qytetari, njerëz që kanë ardhur pa dallim feje, krahine e ideje.
“Përfitoj nga rasti të them që telefonatat, ngushëllimet që kanë ardhur kanë qenë të shumta. Familja Fagu ka organizuar pritje të shtunën, të dielën e të hënë, kështu që gjithë dashamirësit janë të mirëpritur për të përkrahur familjen Fagu për këtë humbje kaq të madhe”, tha ai.

Sa i përket mesazhit të kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga jeta të basketbollistit të shquar shqiptar, Hajdari e cilësoi të ndjerë dhe që tregon të vërtetën.
Rama është politikan, dikur ka qenë sportist dhe ka mesazhe që është i detyruar për t’i bërë për ngjarje që ndodhin dhe mesazhet nuk janë gjithmonë të kryeministrit Rama dhe pse ai ka penë, shkruan bukur. E kam lexuar mesazhin dhe është mesazh njerëzor, besoj që i ka dalë nga shpirti. Beni ka qenë një trajner shumë miqësor, por dhe kërkues, Rama ka qenë sportist rebel dhe ai shpreh mirënjohjen se një nga njerëzit që kanë kontribuuar në jetën e tij është dhe Ben Fagu. Është një mesazh i ndjerë, që tregon të vërtetën rreth familjes Fagu dhe Arben Fagut dhe mirënjohje për këtë familje, tha ai.