Britania e Madhe ka rënë dakord, me kërkesë të BE-së, që të zgjasë periudhën e zbatimit të përkohshëm të marrëveshjes tregtare postBrexit deri më 30 prill, në mënyrë që t’i mundësojë kohë të mjaftueshme Parlamentit Europian për ta ratifikuar atë, njoftoi sot një zëdhënës i qeverisë britanike.
“Sot kemi rënë dakord të zgjasim deri më 30 prill afatin e BE-së për të ratifikuar marrëveshjen”, tha zëdhënësi.
Zbatimi i përkohshëm i traktatit, i cili hyri në fuqi më 1 janar, fillimisht duhej të mbaronte më 28 shkurt, por PE paralajmëroi shpejt se do t’i duhej më shumë kohë.
“Është zhgënjyese që BE nuk ka përfunduar procedurat e saj të brendshme brenda kornizës kohore të rënë dakord, duke pasur parasysh pasigurinë që krijon për bizneset dhe qytetarët në të dyja palët. Ne presim që BE të respektojë kalendarin e ri”, këmbënguli zëdhënësi britanik.
Ekzaminimi i thelluar i tekstit me 1 250 faqe nga PE nisi në mes të janarit.
Eurodeputetët shpresojnë të votojnë për të në mars.