Në dy seanca, 24 mars dhe 1 prill, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj iu pezulluan afatet e paraburgimit nga GJKKO, për shkak se në gjyq munguan të pandehurit e tjerë. I pari i Tiranës e ka ankimuar në Apelin e GJKKO-së si të padrejtë këtë vendimmarrje, me argumentin se vetë Veliaj kishte dërguar në seancat gjyqësore avokatin e tij mbrojtës Plarent Ndreca dhe afatet e paraburgimit nuk mund të pezullohen në mënyrë kolektive.
Kjo ankesë e Veliajt do të shqyrtohej sot në Apelin e GJKKO-së, por seanca u shty pasi gjyqtarja Saida Dollani konstatoi parregullsi në shkresën për njoftimin e kryebashkiakut. Sipas saj, Burgjet kishin dërguar një fotokopje të shkresës që tregonte se Veliaj kishte marrë dijeni për zhvillimin e seancës, dhe jo dokumentin origjinal. Për këtë arsye, gjyqtarja Dollani vendosi që senaca e radhës të zhvillohet më 29 prill ora 09:30.
“Është instaluar një praktikë ku ka një dënim kolektiv kur mungon një avokat i një të bashkëpandehuri, u pezullohen afatet e paraburgimit të gjithë të pandehurve. Praktikë antikushtetuese. Absurde. Sot ishte njoftuar klienti, por u shty për shkak të një parregullsie. Ishte një parregullsi për mënyrën si ishte firmosur dhe për të mos u bërë shkak që të cenohet vendimi, gjykata me të drejtë vendosi të shtyhet seanca me 4 ditë. Më e rëndësishmja është ndryshimi i kësaj praktike, po dëmtohen të paraburgosurit, nuk ka arsye tu pezullohet paraburgimi”, tha avokati Plarent Ndreca.










