Masat izoluese të vendosura dy javë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj kanë dhënë efekte pozitive gjatë ditëve të fundit. Në një intervistë në Report Tv, Brataj u shpreh se kjo ulje është regjistruar 4-5 ditët e fundit. Ai u shpreh se përpara një jave mendohej një ashpërsim i masave por ulja e lehtë e shifrave ka sjellë vendimin për lënien në fuqi të kufizimeve aktuale.
“Marrja e masave bëhet sipas kushteve epidemiologjike të infeksionit. Në fillimin e javës së parë pati një rritje të infektimeve e viktimave nga COVID. Rezultatet e një mase do japin efekt pas dy apo tre jave. Numri i të infektuarve është i qëndruyeshëm. Janë tregues stabël. Ato masa që morëm përpara dy javësh ka dhënë rezultatin e vetë. Janë masa që vendosen të vazhdojnë por nuk përjashtohet që monitorimi të ndryshojë për masat që paraqiten. Përpara 4-5 ditësh u pa që mund të kishim një shtrëngim të masave por me ditët e fundit kemi parë një ulje të lehtë të numrit të të infektuarve. Kjo masë e fundit do japë akoma më shumë rezultate. Ne kishim nga data 6 shkurt mbi 1100 të infektuar ndërsa tani kemi tek 1020. Janë disa ditë që tregojnë një ulje. Shtrimet në spital, kemi një indeks mujor ose ditor dhe kemi një numër negative ose pozitiv. Në fillim të javës kemi pasur plus 40 ndërsa këto ditë kemi pasur minus 8 që do të thotë më shumë kanë dalë se sa janë shtruar” – tha Brataj.
Lidhur me deklaratën e kreut të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se të infektuarit me COVID nuk do të votojnë në 25 prill, Brataj thotë se kjo nuk përbën problem. Duke iu referuar dhe modeleve të vendeve të tjera që kanë realizuar zgjedhjet gjatë kësaj periudhe, Brataj tha se mund të ndjekim këto modele.
“Që nga data 26 janar, ka pasur rritje të shtrimeve në spitale por këto ditët e fundit kemi pasur ulje. Kontrollet kanë qenë më rigoroze, policia ka qenë më e rreptë. Për fatin e mirë, janë dhe dy muaj kohë nga zgjedhjet. Vendet e tjera kemi pasur modele se si votojnë ata që janë të infektuar. Ka shtete që i kanë bërë dhe ka pasur modele të mira. Nuk shqetësohemi për këtë tani. Duhen respektuar masat antiCOVID. Duhet të jemi të kujdesshëm këto dy muaj, vera do të na ndihmojë plus kemi dhe procesin e vaksinimit në vijim. E mira është që ta kalosh virusin kur është më i dobët. Edhe javës së tjera që do vijnë javën tjetër. Vendet e tjera na kanë treguar që infeksioni ka rënë tek bluzat e bardha” – tha Brataj.
Dy ditë më parë shefi i Urgjencës Kombëtare u vaksinua teksa ai tha se nuk ka pasur asnjë efekt anësor. “Unë ndihem shumë mirë, vetëm një dhimbje të krahut ditën që e bëra. Duhet bërë vaksina” – tha Brataj. Këtë të enjte Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë në fuqi masat antiCOVID, izolimin nga ora 20:00 deri në 06:00. Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë shënuar 986 raste të reja me koronavirus nga 3691 testime të kryera si dhe humbën jetën 21 qytetarë.