Rezultatet e masave që u morën së fundmi pritet të shihen pas 3-4 javësh. Kështu u shpreh kreu i Urgjencës Kombëtare për ‘Javë në RTSH’ teksa komentoi kufizimet e reja të orarit policor apo mbylljen e disa gjimnazeve.

Skënder Brataj tha se pavarësisht idesë që u krijua se të rinjtë num infektoheshin me Covi-19, pasojat u panë te prindërit e tyre.

“Evropa këto masa i ka marrë më përpara. Ne i morëm tani sepse mendojmë që vlejnë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Nëse ia vlen, pse të mos merren. E dimë që virusi nuk mbyllet pas orës 20:00. Por është ora me një dendësi shumë të madhe. Fjala bie, kështu pezullohen darkat që disa do të mblidheshin dhe do të hanin në restorante“, tha Brataj.

Ai përsëriti kritikat e tij rreth studimit të Akademisë së Shkencave.

“Të dhënat janë që nga 90 mijë raste gjithsej, sot janë 34 mijë aktivë. Nga të cilët 51% i ka Tirana. Njoftimi që e kemi arritur 50% imunitetin e tufës tregon se kjo e dhënë nuk ishte e saktë. Mund të kemi zona apo lagje që ka arritur mbi 30% imunizimin e tufës, por jo kryeqyteti” – tha Brataj për ‘Java në RTSH’.