BE tejkalon numrin e 23 milionë dozave të shpërndara, disa vende të tjera europiane nuk kanë arritur ende të fillojnë vaksinimin. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina janë ende duke pritur të marrin dërgesat e tyre të para të vaksinës, ndërsa vaksinimi në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut deri më tani ka qenë i kufizuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë aleatët kryesorë dhe anëtarët e mundshëm të ardhshëm të Bashkimit Europian, por ato janë lënë jashtë planeve të furnizimit të vaksinave të bllokut.
Ato i janë bashkuar me programin COVAX, i cili synon të bëjë më të drejtë aksesin e vaksinave në të gjithë botën. Shumë analistë e shohin lëshimin nga BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor si njëmundësi të humbur. “Ky është një rajon i vogël për sa i përket popullsisë, që do të thotë se me një investim të vogël në vaksina, BE do të kishte fituar shumë për sa i përket fuqisë dhe ndikimit në rajon”, thotë Alba Cela, Drejtore ekzekutive e Institutit shqiptar për Studime Ndërkombëtare. “Fakti që BE nuk e bëri këtë do të thotë që aktorë të tjerë të luajnë një rol”, shtoi ajo. Engjellushe Morina, bashkëpunëtore në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë tha se kjo ndjenjë e të lënit pas dore mund të ketë pasoja serioze për sigurinë e rajonit. “Europa me të vërtetë e ka lënë pas dore rajonin për një kohë kaq të gjatë dhe kjo e bën rajonin të prekshëm nga aktorët e tjerë të jashtëm”, tha ajo. “Dhe këtu hyn Rusia. Këtu hyn Kina”, shton ajo.
Përballë mundësisë së një pritje të gjatë, Serbia, më e madhja nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, e mori situatën në dotë dhe i kërkoi vaksinat diku tjetër. Kina dhe Rusia ishin gati të ndërhynin. Qeveria serbe tha se Kina deri më tani e ka furnizuar atë me 1,5 milionë doza të vaksinës Sinopharm, duke katapultuar vendin prej 7 milionësh në radhët e para të garës globale të vaksinimit. Qeveria tha se ka marrë gjithashtu 90 000 doza të vaksinës ruse Sputnik V dhe 40 950 të vaksinës Pfizer/BioNtech. Çmimi që Serbia pagoi për vaksinat nuk është bërë i ditur. Javën e kaluar, ajo dhuroi 4 688 nga dozat e saj Pfizer/BioNTech në Maqedoninë e Veriut, e cila është ende duke pritur për se 100 000 doza që siguroi përmes COVAX. Donacioni u reklamua si një shenjë bashkëpunimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev . Të mërkurën, Serbia njoftoi se do të dhuronte 4 000 doza të vaksinës ruse në Malin
e Zi, i cili gjithashtu po pret ende për dërgesat e tjera.
Donacionet janë shndërruar në një gjest simbolik. Në krye të marrëveshjes së saj me Pfizer, Shqipëria ka porositur gjithashtu rreth 1.1 milion doza përmes COVAX, duke siguruar që do të ketë doza të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e saj. Ndërsa BE ka premtuar të ndihmojë rajonin në blerjen e vaksinave Covid-19, nuk ka ende asnjë tregues se si do të funksionojë kjo. Por, nga pikëpamja strategjike dhe e sigurisë, rajoni është thelbësor për BE. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të gjitha zyrtarisht vende kandidate për në BE, ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Kosova shihen si kandidate të mundshme në të ardhmen. “Ka një mungesë të vizionit strategjik. Nëse ky rajon do të integrohet dhe ai është de facto i integruar në BE tashmë… nuk ka kuptim që BE të mos sigurojë rajonin me vaksina”, thekson Çela. “Kjo është një temë shumë e nxehtë këtu tani”, shton ajo duke theksuar se ndjenja dominuese në rajon është se Bashkimi Europian mund të kishte bërë më shumë për Ballkan Perëndimor. /ATSH