Mes kritikave të shumta për vonesa dhe pabarazi në shpërndarjen e vaksinave, COVAX dhe GAVI kanë bërë publik planin për shpërndarjen e dozave të para të vaksinave antiCOVID, në vendet me të ardhuira të ulëta dhe të mesme. Në planin paraprak të shpërndarjes së vaksinave parashikohet shpërndarja e 1.2 milion dozave të AstraZeneca dhe Pfizer. Për vendin tonë COVAX do të shpërndajë 141 mijë e 600 doza të vaksinës së AstraZeneca. Shqipëria ka pasuar 3.9 milion euro për të siguruar 1 140 000 doza nëpërmjet kësaj skeme.
Nga ana tjetër për Kosovën e cila ende nuk ka filluar vaksinimin planifikohet të jepen 100 mijë e 800 doza. 190 vendet që i janë bashkuar COVAX, prillin e kaluar synonin një qasje të barabartë në shpërndarjen e vaksinave për të gjitha vendet.
Drejtori i Përgjithshëm i GAVI javën e kaluar tha se COVAX synonte të jepte 2.3 miliardë doza deri në fund të vitit, përfshirë 1.8 miliardë në vendet me të ardhura më të ulëta pa ndonjë kosto për qeveritë e tyre.