Në përpjekje për të shpëtuar industrinë e turizmit Greqia dhe Austria u kërkojnë shteteve të tjera anëtare të BE të miratojnë “pasaporta” të vaksinimit të koronavirusit. Ideja e një dokumenti të tillë, që ka të ngjarë të jetë një certifikatë, do të ishte lejimi i atyre që janë vaksinuar të udhëtojnë lirshëm brenda BE dhe propozimi u paraqit gjatë një diskutimi virtual midis udhëheqësve të BE. Megjithatë të përballur me vonesa në vaksinim dhe mungesë dozash, ideja e një pasaporte vaksine përballet me kundërshtimin e disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut.
Franca dhe Gjermania thonë se dokumente të tilla mund të jenë të parakohshme sepse të dhënat mbi efikasitetin e vaksinave në parandalimin e një personi nga bartja ose kalimi i virusit janë të paplota. Ekzistojnë shqetësime se mundësimi i një pakice të vaksinuar të udhëtojë ndërsa të tjerët, si të rinjtë që nuk shihen si përparësi për vaksinim, do të vazhdojnë të përballen me kufizime të cilin do të ishin diskriminuese.
Kancelari austriak Sebastian Kurz shkroi në Twitter se “ne jemi duke mbrojtur një Green Pass dixhital, si ai i Izraelit”. “Kjo duhet t’ju lejojë të provoni, se jeni testuar, vaksinuar ose jeni rikuperuar nga Covid. Qëllimi ynë: të shmangim një izolim të gjatë dhe më në fund të mundësojmë lirinë për të udhëtuar përsëri në BE dhe lirinë për të shijuar pushimet dhe kuzhinën “.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të duhen tre muaj për të ngritur një sistem të dhënash për përdorim në kufij dhe në sistemet kombëtare të kujdesit shëndetësor. Ndërsa disa vende të BE tani luftojnë me një valë të tretë të virusit dhe ka tensione mbi kufizimet e njëanshme të kufirit. Gjermania është e fundit që ka marrë një ankesë nga Komisioni Evropian, pasi ajo vendosi kontrolle të reja policore në kufijtë me Çekinë dhe Austrinë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë për media se në mesin e vendeve anëtare ka “gjithnjë e më shumë pajtim për një skemë të tillë, e cila mbështetet sidomos nga vendet që varen nga turizmi. Por, Michel tha se prioritet kryesor tani mbetet përshpejtimi i shpërndarjes së vaksinave.
Bashkimi Evropian është përballur me kritika për fushatë të ngadalshme vaksinimi. Zyrtarët evropianë kanë thënë se kanë hasur në pengesa me furnizim. Me gjithë përparimin e ngadalshëm, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se blloku ende synon të vaksinojë 70 për qind të të rriturve – rreth 255 milionë njerëz – deri në shtator. Koronavirusi ka prekur mbi 112.9 milionë njerëz në botë. Prej tyre, mbi 2.5 milionë kanë vdekur dhe mbi 63.7 milionë janë shëruar. Në Bashkimin Evropian, vendet me numrin më të lartë të të infektuarve janë: Franca, Spanja dhe Italia.