Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot të anulojë gjobën prej 75 mijë lekësh, e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndaj Erion Veliajt pas denoncimit të LSI për vizitat e kryebashkiakut në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Anëtarët e KAS pranuan argumentet e përfaqësuesit ligjor se Bashkia Tiranë e ka nisur raportimin e të dhënave për aktivitetet e saj menjëherë me krijimin të dhënave në faqen e KQZ-së dhe se shtëpitë e inspektuara për shkak të detyrës si Kryetar Bashkie, janë buxhetuar para 24 dhjetorit 2020, datë kur ka hyrë vendimi në fuqi që ndalon buxhetime të tilla.

Më herët, Kryetari i Bashkisë ka deklaruar se më ironik është fakti që nuk penalizohet Lulzim Basha që shton 5 vila në kohë pandemie apo Grida Duma që akuzohet se ka shitur 3 herë shtëpinë, por dikush që ka dorëzuar shtëpi për të pastrehët e mbetur nga tërmeti.