Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, së bashku me Nënkryetarin e Bashkisë Dropull, Panajot Lulo dhe Drejtorin e Sistemeve Informatike në Ministrinë e Brendshme Vangjush Stavro inspektuan zyrën e aplikimit për dokumente identiteti. Ata ftuan gjithë qytetarët të aplikojnë apo riaplikojnë pa humbur kohë.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj tha se jemi sot këtu në vijim të turit tonë që tashmë e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
“Jemi në Bashkinë Dropull për t’ju bërë thirrje të gjithë banorëve të kësaj bashkie dhe jo vetëm. Vetëm pak minuta kohë nga koha e tyre të vijnë pranë zyrave të bashkisë, tek zyra e aplikimit dhe tek zyra e gjendjes civile për t’u pajisur me dokumentin e ri. E ritheksojmë letërnjoftimi elektronik nuk është thjesht dokumenti me anë të të cilit çdo qytetar mund të votojë ditën e zgjedhjeve, të shprehë vullnetin e tij politik, por është dokumenti, çelësi me anët të cilit mund të përfitojë çdo lloj shërbimi në të gjitha institucionet publike dhe private. Qeveria shqiptare nuk do të ndalet së bëri thirrje deri ditën e fundit të gjithë shtetasve, që të vijnë dhe të aplikojnë pranë zyrave të aplikimit. Kjo është detyra jonë, detyra minimale e qytetarëve është të pajisen me dokumente”, tha ai.
Gjithashtu nënkryetari i bashkisë Dropull, Panajot Lulo ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkisë sonë që iu ka skaduar karta e identitetit të vijnë të aplikojnë me lehtësinë më të madhe. Shërbimi do të kryhet në çdo kohë që do vijnë.
Ndërsa, Drejtori i Sistemeve Informatike, Vangjush Stavro u shpreh se “jemi këtu bashkë me nënkryetarin e Bashkisë Dropull dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile ku inspektuam dhe situatën, edhe gjendjen e zyrave të Gjendjes Civile dhe zyrave të aplikimit. Çdo gjë është në rregull dhe me këtë rast duam t’ju bëjmë një thirrje të gjithë qytetarëve, për më tepër edhe emigrantëve që të aplikojnë sa më shpejt për letërnjoftim ID e për pasaportë, për të përfituar çdo lloj shërbimi që mundësohet brenda Republikës së Shqipërisë, edhe për më tepër edhe për zgjedhjet e 25 prillit 2021”.