Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të disa shkrimeve në portale online, ku ngrihen pretendime ndaj Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi.
Në një deklaratë për mediat, Ministria i cilëson pretendimet si “të pavërteta, të pabazuara dhe spekulative”, duke theksuar se nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar për nisjen e një hetimi penal, shpallje si e pandehur apo përfshirje të ambasadores në shkelje ligjore të çfarëdo natyre.
Sipas reagimit, edhe pretendimet për emërime personale, keqmenaxhim fondesh apo lidhje të supozuara me figura publike janë “tërësisht të paqena dhe të pambështetura në fakte”.
Ministria nënvizon se veprimtaria e përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, standardet profesionale dhe normat etike të shërbimit diplomatik.
Në përfundim të deklaratës, Ministria shprehet se çdo publikim që përhap informacione të pavërteta apo insinuata që cenojnë reputacionin e institucioneve shtetërore është i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesin publik, duke paralajmëruar se rezervon të drejtën të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe integritetit institucional.










