Shtohet lista e abuzimeve të ish-drejtorit të Patentave, Ylli Spahiu, gjatë ushtrimit të detyrës për periudhën 2013 – 2017, si përfaqësues i partisë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Spahiu është vëllai i ish-deputetit të LSI, Përparim Spahiu, të cilit Monika Kryemadhi i ka besuar fushatën në Tiranë. Krahas dhënies së makinave të institucionit për familjarët e tij, blerjen e makinave pa pasur një nevojë për to apo dhënies së tenderit të uniformave një servisi makinash, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë kontrollit të ushtruar kanë zbuluar një rast shkeljeje me dy procedura prokurimi me objekt “Blerje pulle taksash”, të realizuar gjatë vitit 2014.
Pullat e taksave apo ngjitëset që vendosen te xhami i makinës ku përdoruesi i mjetet tregon se janë paguar taksat, janë marrë me vlerë dy herë më të lartë për një diferenca 1 mujore nga blerja në blerje. Në nëntor 2014, drejtuesi i DPSHTRR ka firmosur procedurën për 60,000 pulla, me vlerë 831,000 lekë, vlera e së cilës është 13.85 lekë/pulla. Vetëm një muaj më vonë, në dhjetor 2014, pavarësisht se sasia e porositur është 6 herë më e madhe, kosto e pullës është marrë mbi 2 herë më shumë. Procedura e realizuar për 360,000 pulla, me vlerë 11,088,000 lekë është mbyllur me një vlerë 30.8 lekë/pulla. Përveç lëvizjes së madhe të çmimit, KLSH ka vërejtur se kompania ftuese nuk plotësonte një nga kriteret e veçanta për kualifikim,“Kapaciteti teknik”, sepse kontratën e ngjashme e ka paraqitur si bashkim operatorësh dhe nuk është përcaktuar përqindja e pjesëmarrjes në kontratën e bashkëpunimit.
Institucioni i lartë i auditimit në Shqipëri ka gjetur një tjetër shkelje në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku ka konstatuar se kjo drejtori ka realizuar procedura prokurimi me negocim apo pa shpallje me objekt “Blerje prokat leje drejtimi” për vitet 2014, 2015 e 2016. Ndërkohë që veprimtaria bazë e DPSHTRR mbështetet në lejedrejtimin dhe lëshimin e targave të mjeteve, ndërkohë në këto vite nuk është parashikuar dhe nuk janë dërguar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik në bazë të VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, regjistri i parashikimeve.
Dy procedura me objekt “Blerje prokat lejedrejtimi”, janë anuluar e më pas janë zhvilluar si procedura “negocime pa shpallje”. Në këto dy procedura Drejtori i Përgjithshëm ka dërguar ftesa vetëm për dy operatorë ekonomik, ndërkohë që ligji nr.9643/2006, në nenin 33 kërkon domosdoshmërish tre operatorë minimumi. Fondi limit më pas është llogaritur duke marrë oferta vetëm nga njëri prej OE, pasi tjetri nuk ka kthyer përgjigje. Çmimi i ofruar nga operatorët në negocim është 82.65 lekë/copë më i lartë, se oferta e paraqitur po nga ky operator në ofertën e sjellë në procedurën e hapur elektronikisht në datën 30.06.2014.
Sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” kërkohet që veprimtaria e operatorit ekonomik duhet të përputhet me objektin e procedurës së prokurimit. Ndërkohë Operatori Ekonomik veprimtaritë që duhet t’i kishte në objektin veprimtarisë së saj dhe që përputheshin me objektin e procedurës së prokurimit i ka shtuar në objektit të veprimtarisë me vendimin e datës 22.03.2018 të Asamblesë së Ortakëve.
Për të gjitha këto shkelje, SPAK po heton bazuar në nenin 248 të Kodit Penal, ku parashikohet se “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.
Gjithashtu, neni 258 i Kodit Penal, parashikon se “Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët”. Dosja voluminoze që sot gjendet në duart e prokurorëve të SPAK-ut, bazohet në gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku flitet jo vetëm për abuzime me tendera, por edhe vendosje në dispozicion të automjeteve shtetërore në shërbim të familjarëve të tij. Pak ditë më parë, u bë publike edhe se si ish drejtori i patentave, ka firmosur dy prokura në gjuhën shqipe dhe angleze, në mënyrë që automjetet e institucionit publik të përdoreshin nga vëllai i tij, deputet i LSI, Përparim Spahiu, për të udhëtuar jashtë vendit. Një tjetër shkelje e gjetur ishte se si Spahiu bleu 13 makina me paratë publike për ‘qejf’ dhe i dha tenderin e uniformave një mekaniku.