Zbutja e kufizimeve të koronavirusit në Itali, nga e hëna, ka shtuar shqetësimet me ekspertët që parashikojnë një rritje të infektimeve gjatë javëve të ardhshme. 16 nga 20 rajonet italiane klasifikohen tani si zona të verdha, me rrezik të ulët, çka do të thotë që baret dhe restorantet mund të qëndrojnë të hapura deri në orën 18.00 dhe njerëzit mund të udhëtojnë më lirshëm brenda rajoneve të tyre. Katër rajonet e mbetura, mes të cilave Umbria, Sicilia, Pulia dhe Sardenja, klasifikohen si zona portokalli, me më shumë rregulla, bashkë me provincën autonome të Bolzanos.
Ndalim qarkullimi nga ora 22.00 deri në 5 të mëngjesit mbetet në fuqi në të gjithë vendin ashtu si edhe ndalimi i udhëtimeve ndër rajonale me përjashtim të rasteve për punë dhe emergjenca. Shkollat fillore dhe kopshtet në Itali u rihapën më herët në janar ndërsa nga e hëna 50 për qind e nxënësve të gjimnazit në të gjithë rajonet, përveç Sicilisë, u rikthyen në klasa.
Valter Ricciardi, një shkencëtar që këshillon ministrinë e shëndetësisë, tha se ndërsa izolimi si ai i pranverës së shkuar nuk është i nevojshëm, ai do të preferonte që i gjithë vendi të ishte nën kufizimet më të rrepta të zonës së kuqe. Ekspertët janë të shqetësuar pasi kanë parë imazhet e turmave të njerëzve në dyqane dhe qendra tregtare gjatë fundjavës.
Ricardi parashikon se zbutja e kufizimeve do të cojë në një rritje të infektimeve brenda dy apo tre javëve. Trendi i kësaj pandemie tani është i parashikueshëm – tha ai. është e rëndësishme të evitohen tubimet por unë shoh që sugjerimet e thjeshta nuk janë të mjaftueshme. Qeveria ka qenë nën presion për të zbutur kufizimet nga ana e bizneseve ndërsa mësuesit dhe nxënësit në Itali kanë protestuar kundër mësimit online.