Pas deputeti të Partisë Socialiste, Spartak Braho edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi është i bindur se ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë pjesë e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe spiun i Ish-Sigurimit të Shtetit. Partia Demokratike ka dhënë sinjale se do të çojë përpara pastrimin e politikës nga komunistët dhe ish-anëtarët e Partisë Komuniste. Ishte vetë kryedemokratit Lulzim Basha, i cili teksa në fundjavë prezantoi programin për të përndjekurit politikë, premtoi mes të tjerash një formë lustracioni ndaj bashkëpunëtorëve të sistemit komunist. Por për zotin Klosi ky angazhimi i Bashës është një mision i pamundur, për sa kohë që brenda PD-së ka edhe individë si Sali Berisha. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH u shpreh i bindur se ish-kryeministri Berisha ka qenë pjesë e Partisë së Punës. “Sigurisht që ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë komunist dhe komunist i rangut të lartë dhe besnik i partisë. Berisha ka qenë Sekretari i Byrosë së Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë. Pra, Berisha ka qenë jo komunist i zakonshëm, por komunist i rangjeve të larta. Kështu që më duket habi, por edhe nuk çuditem fare që Saliu sulmon komunizmin, në një kohë që ka qenë vetë komunist. A e kuptoni që Berisha ka qenë sekret i PPSH në një fakultet ku kishte mbi 100 komunistë dhe anëtar partie?! Në dijeni time Berisha ka pasur edhe teserë partie. Megjithatë, është e kot që të shtrojmë dhe debatojmë nëse Berisha ka qenë apo jo komunist, pasi ai ka qenë i tillë. Dhe fakti që ai bën si demokrat i flakët, i shkon për shtat një thënie e ish-presidenti dhe dramaturgu disident çek, i cili ka thënë që: “Nuk ka komunist më të keq sesa komunisti antikomunist””, deklaroi ai.
Berisha ka qenë anëtar i sigurimit të shtetit/ Por të qenit anëtar dhe madje në rangun më të lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë, nuk është i vetmi “cen” që e përndjek edhe sot e kësaj dite ish-kryeministrin Sali Berisha. Për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë edhe një spiun i Ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij dhe në këtë pikë ai flet me përgjegjësi pasi ka qenë drejtues i një institucioni të rëndësishëm si SHISH, Berisha kur erdhi në pushtet u kujdes që të asgjësonte dosjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, ekzistenca e së cilave mund t’i hidhini në erë karrierën politike. “Në dijeninë time si ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, di që Sali Berisha kur ka ardhur në pushte në vitet ’90 i ka pastruar dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke filluar nga vetja e tij, deri tek bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Është e kotë dhe tejet qesharak teksa shikon Lulin dhe Saliun që premtojnë ligjin e Lustracionin, por në të njëjtën kohë ai ka pastruar dosjet e bashkëpunëtorëve të tij”, u shpreh ai.
Lidhjet e Berishës me UDB-Më tej ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk asgjësi vetëm dosjet që kishte ai dhe që tregonin lidhjet me Sigurimin e Shtetit, por edhe dokumente të qenësishme që e identifikonin atë si person që kishte lidhje me Shërbimin Jugosllav. “Nga ana tjetër unë e kam thënë për gazetën tuaj dhe ndërkohë po e theksoj sërish që në dijeninë time, di që ka dosje të asgjësuara me procesverbale, sipas të gjitha rregullave. Pra, duke qenë dhëndër në një familje gjysmë serbe, Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i mundshëm i UDB jugosllave. Unë nuk kam gjetur gjë në dosje, sepse kur unë vajta në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, Berisha kishte pesë vjet në pushtet dhe i kishte rregulluar të gjitha gjërat. Por që Berisha ka qenë i ndjekur për lidhje të mundshme me UDB, këtë e thonë oficerët që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që e kanë parë dosjen e si i tillë”, nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”.